Bashkëshortja e ish-komisarit të Policisë Gani Malushi, të vrarë në vitin 2003, Esmaja, është shprehur se është e gatshme të rihapë çështjen që të zbardhet e vërteta.
Komentet Malushi i bëri në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku tha se humbja e të shoqit të saj, ishte thikë pas shpine nga kolegët e tij.
Ajo shtoi se institucioni i Policisë së Shtetit është degjeneruar dhe e ka humbur funksionalitetin, për shkak të kapjes nga krimi e korrupsioni i brendshëm.
Kujtojmë se ish-shefi i komisariatit të Fushë-Krujës, Gani Malushi, u qëllua me një breshëri plumbash, duke i shkaktuar vdekjen.
“Bashkëshorti im nuk i hapte rrugë krimit. Krimi të eleminon, por jo kur nuk ka mbështetje. Nuk mundet një kriminel t’i thotë Prokurorit nuk e kishim lënë kështu. Prokuroria është marrë vetëm me kriminelin dhe jo me zinxhirin drejtues të Policisë së qarkut Durrës. Unë e kam bindje, nëse do hapen intervistat e mia, jam shpreh qartë, këtu ka dorë shteti.
Unë kam qenë gati dhe jam gati për të kërkuar drejtësi dhe për të hetuar kolegët e athershëm. Ky emisioni juaj duke marrë shkas edhe nga fjala e ministrit që thotë edhe më përpara kanë ekzistu, unë jam gati të zbardhet e vërteta. Më dhemb shumë, unë jetoj me Policinë, e ndjek përherë, por problemi është se do kohë të gjatë, nuk mund të drejtohet polocia me frymën e vjetër, duhet të ristrukturohet në themel”, është shprehur ajo.
Më pas ajo tha se humbja e tij ishte një thikë pas shpine nga kolegët: “Të gjithë ata në panel janë sulmuar me grushta pas shpine dhe po tregojnë realitetin që kanë përjetuar. Pajtohem me mendimin aty që po nuk e deshe profesionin dhe po nuk je idealist, nuk ke për të ecur para. Në polici duke spastruar të gjithë gjithë njerëzit e aftë dhe duke futur të rinjtëk, e degjeneruan Policinë e cila e humbi funksionin.
Humbja e tim shoqi është një thikë pas shpine e kolegëve të tij. Kam kërkuar në të gjitha strukturat që kjo çështje të zbardhet dhe asnjëherë nuk kam pasur një përgjigje, që të më thonë moj zonjë ty të ndodhi fatkeqësi por realiteti është kështu. Shumë policë janë të tradhëtuar nga strukturat, shokë, apo kolegë. Sot ka ardhur dita që e vërteta të dalë në shesh. Kush abuzon të shkojë atje ku abuzohet, por jo në strukturat e Policisë”.
Lini një Përgjigje