Vizitën në Tiranë të Ndihmës Sekretarit amerikan Todd Robinson, ekspert i Kriminalistikës, Ervin Karamuço e lidh me dy shqetësime në vendin tonë, drogën dhe pastrimin e parave.
Karamuço u shpreh se pikërisht këto janë edhe problemet që shqetësojnë në parim edhe SHBA dhe se për këto ka dhënë porosi të posaçme në takimet kokë më kokë që ka zhvilluar me krerët e institucioneve të drejtësisë në vend.
“Ky përfaqëson një byro më vete në departamentin e Shtetit që merret më rrafshin ndërkombëtar se çfarë ndodh me trafikun e drogës dhe si janë të forcuara organet ligjzbatuese, flasim BKH, Polici, AMP, si i përgjigjen këto. Ka qenë edhe drejtoresha e BKH, ata e konvertojnë si FBI. Burimi kryesor pse ne kemi krim të organizuar sot në parametra kaq të lartë është droga. Këta kanë disa projekte me Shqipërinë, lidhur edhe me forcimin e teknologjisë dhe këta çojnë dokumente dhe projekte për t’u implimentuar nga organet e drejtësisë. Ajo që duhet thënë është që Ndihmës Sekretari i Shtetit këtu, në agjencitë tona ligjzbatuese kanë këshilltarët e tyre. Janë të agjencive federale.
Unë shoh drogën problem shumë të madh dhe pas shume hetimesh që ka SPAK sot, edhe në çështje të tjera të pastrimit të parave, pas atyre është droga, edhe te ndërtimet. Flitet që në Shqipëri po pastrohet shumë para. Këto janë problemet që e shqetësojnë në parim. Në takime kokë më kokë jep porosi konkrete sepse ai ka një listë shumë të qartë. Ka një hartë SHBA, ka sjellë një zyrë në mes të Tiranës dhe ata dinë komplet, të gjitha grupet, ça linjash kanë. Kanë çdo lloj informacioni, asgjë nuk është e fshehur para këtyre, janë partnerët që na survejojnë më shumë dhe që kanë vënë më shumë para dhe përgjegjësinë e kanë shumë të madhe sepse janë para të taksapaguesve amerikanë”, u shpreh ai në emisionin “3D”.
Lini një Përgjigje