
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, vijon të heqë përgjegjësinë nga vetja lidhur me shpërthimin në Gërdec.
Sot u mbajt seanca e radhës, ku Mediu shfaqi argumentet e tij kundër atyre të ekspertëve. Ai pretendon se ministri nuk ka pasur kompetencë trajtimin e municioneve. Duke ja u faturuar të tjerëve.
“Për çdo vendim të qeverisë ka pasur një urdhër ministri dhe pas çdo urdhri të ministrit një urdhër tjetër ose udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, kështu funksionon në ministrinë e Mbrojtjes", tha Mediu.
Më tej, ish-ministri i pandehur për “shpërdorim të detyrës” tha se kompania amerikanë SAC në Gërdec nuk ishte kontraktuar vetëm për demontim, por edhe për demilitarizim, pra për kthim të municioneve në të paefektshëm dhe të parrezikshëm.
Duke i qëndruar argumentit për kompetenca të ndara dhe të qartë ligjore mes Ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Forcave të Armatosura, ish-ministri tha se Forcat e Armatosura kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin Gërdecin. Sipas dëshmive në proces, tha ai, funksionarë të lartë të Forcave të Armatosura kanë vizituar disa herë Gërdecin, por nuk kanë zbatuar detyrime që ka urdhëruar VKM-ja, që i hapte rrugë procesit.
Kujtojmë se SPAK regjistroi procedimin penal për ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke e marrë atë të pandehur për ngjarjen e vitit 2008 të ndodhur në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, të parashikuara nga Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak.
Lini një Përgjigje