TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Mars 2026, 18:05

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

Kryeministri Edi Rama i ka tërhequr vëmendjen institucioneve të drejtësisë për të rritur profesionalizmin dhe paanshmërinë, me qëllim përmbushjen e objektivit të integrimit në BE në vitin 2027.

Nga ana tjetër, Sali Berisha akuzon Ramën për pengim dhe thotë se opozita ka vetëm një rrugë për t’u dëgjuar: protestën.

Ai kërkon hapjen e Partisë Demokratike me anëtarësime të reja dhe thirrje për protestën e 17 prillit, ndërsa konflikti brenda PD-së po thellohet, me përplasje mes degëve të Krujës dhe Fushë-Krujës me Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka.

Berisha ndërhyri për të frenuar tensionin, ndërsa disa drejtues lokalë kundërshtojnë vendimet për bashkimin e degëve.

Në Elbasan, gara për drejtimin e degës ka nxitur kontestime për listat e anëtarësisë, ku emra si Doris Madhi, Zheni Gjergji dhe Alesia Balliu janë hequr nga listat pa njoftim.

Pak ditë më parë, PD përjashtoi edhe këshilltarë që mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit, duke treguar një proces të riorganizimit të ndikuar nga tensioni dhe përplasje.

Deputeti Braçe ka dorëzuar kërkesë në KQZ për të marrë rezultatet e lektoraleve që nga 1996, duke synuar garën për kryetar të Tiranës.

Skënder Hita propozohet si pasardhës i Ilir Prodës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë...

GJKKO ka ndryshuar masat e sigurisë ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, duke i hequr “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë vendit”.

Babai i Ervis Martinajt denoncon mungesën e hetimit nga SPAK, duke kërkuar drejtësi për ekzekutimin e djalit të tij.

Ndërkohë, hetimet ndërkombëtare tregojnë se mafia kineze, shqiptare dhe Ndrangheta dominojnë tregjet, duke futur para të pista deri në Parlament.

Skema kombëtare e mbështetjes për vitin 2026 heq naftën falas për fermerët, një nga ndihmat më të prekshme të viteve të fundit, dhe e zëvendëson me grante për sipërfaqe të mbjella, kafshë matrikulluara, investime në mekanizim, agropërpunim, akuakulturë dhe agroturizëm.

Fondet totale për investime arrijnë 2.5 miliardë lekë, por efektiviteti i tyre do të vlerësohet vetëm kur fermerët përballen me faturat e larta të karburantit.

Skema synon modernizimin e sektorit, duke përfshirë bletarinë, fermat organike dhe certifikimet bujqësore, por kërkon aplikime dhe investime, duke e bërë mbështetjen më pak të menjëhershme.

Në nivel ndërkombëtar, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç zhvilluan bisedë për furnizimin me gaz dhe situatën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Zelensky ka propozuar armëpushim me Rusinë gjatë Pashkëve, duke sugjeruar ndërprerjen e sulmeve ndaj sektorit energjetik.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump kërcënon Iranin për Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se mund të shkatërrojë objektiva energjetike, por negociata diplomatike po zhvillohen me “regjimin e ri” iranian.

Në sport, Turqia sfidon Kosovën për vend në Botërorin 2026, me premtime për lojtarët të shpërblehen me vila në Bodrum.

edicioni informativ

Lini një Përgjigje