
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:
Rrëzohet kërkesa e PD/ SPAK kërkon pushimin e hetimit për Irena Gjokën
Gjykata ka rrëzuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Marinela Osmani nga shqyrtimi i çështjes që lidhet me kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e kallëzuar për falsifikim dokumentesh.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila vlerësoi se nuk ekzistojnë shkaqe ligjore që justifikojnë largimin e Osmanit nga shqyrtimi i dosjes.
Kërkesa ishte paraqitur nga kallëzuesit Adriana Kalaja dhe Jamarbër Malltezi. Dy kallëzuesit kanë kërkuar gjithashtu që shqyrtimi i kërkesës së SPAK për pushimin e hetimeve të mos zhvillohet në GJKKO, duke argumentuar se kjo gjykatë ndodhet në konflikt interesi.
Hetimi ndaj gjyqtares Gjoka u nis në qershor të vitit 2025 për veprën penale falsifikim i vulave, stampave ose formularëve, pas denoncimeve të bëra nga kreu i PD, Sali Berisha.
Endri Meksi paraqitet në SPAK/ Pronari i MCN ka denoncuar publikisht se ka marrë kërcënime
Biznesmeni Endri Meksi, pronar edhe i MCN Tv, është paraqitur paraditen e së hënës në SPAK. Sipas raportimeve, Meksi është thirrur në Prokurorinë Speciale me cilësinë e personit që mund të ketë dijeni lidhur me një çështje që po hetohet nga SPAK. Nuk dihet nëse paraqitja e Meksit ka lidhje ose jo me hetimet që SPAK po kryhen lidhur me atë që njihet si dosja e AKSHI-t.
Në javët e fundit, Meksi ka denoncuar publikisht se ka marrë kërcënime, ndërsa ka shtuar se i rrezikohet jeta.
Madje ai ka deklaruar se për rastin në fjalë ka bërë dhe denoncim në polici.
Nga raportimet mësohet se ndaj tij është bërë një kërcënim në ambientet e MCN TV, ndërsa një pike të biznesit të tij në fushën e internetit i është vendosur lëndë plasëse.
Kronikë e paralajmëruar/ Bandat e Gjin Gjonit masakrojnë ish-kryetarin e PD, Dajç
Burime të brendshme nga strukturat e Partisë Demokratike në Lezhë konfirmojnë për Pamfletin se deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, në disa takime të hapura dhe grupe të ngushta me aktivistë e drejtues vendorë, ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se ‘do t’ia presë veshët Sokol Tomës’, ish-kryetarit të PD-së për njësinë administrative të Dajçit.
Sokol Toma njihet ndër vite si një nga organizatorët më të suksesshëm elektoralë në zonë, por pas ardhjes së Gjin Gjonit në krye të degës së Partisë Demokratike për Lezhën, ai u tërhoq nga jeta politike aktive dhe u bë kritik ndaj mënyrës së drejtimit të tij.
Pikërisht për këtë kritikë, Gjin Gjoni dyshohet se e ka kërcënuar vazhdimisht me dhunë fizike, duke i thënë hapur në disa prej takimeve: "Do t'ia pres veshët që t'i bëhet mësim."
Mbrëmjen e 9 majit 2026, rreth orës 22:00, në aksin rrugor Mamurras–Laç, pranë fshatit Sanxhak në Kurbin,
Sokol Toma u sulmua brutalisht nga një bandë e maskuar. Personat e paidentifikuar i bllokuan rrugën makinës së tij, e nxorën me forcë dhe e rrahën me sende të forta. Por dhuna nuk u ndal me kaq: agresorët i thyen të dyja gjymtyrët e poshtme dhe më pas i prenë realisht një pjesë të veshit, duke e përmbushur fjalë për fjalë kërcënimin e deputetit Gjin Gjoni.
Bordi i Bankës së Shqipërisë i mangët/ Pazaret mbajnë peng emrin që duhet ta propozojë Kuvendi
Kryeministri Edi Rama vazhdon negociatat për plotësimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një proces që duhej të përfundonte brenda dhjetorit 2025.
Përplasja e interesave politike për kontrollin e drejtimit të Bankës e bllokoi dhe e shtyu procesin e zgjedhjes së anëtarëve për në muajin shkurt 2026.
Më 15 dhjetor u përfundoi mandati 6 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Tre prej tyre propozohen nga kryeministri, ndërsa tre nga Kryetari i Kuvendit.
Deri tani janë përzgjedhur dhe emëruar 5 anëtarë, ndërsa 1 vend mbetet bosh, megjithëse kanë kaluar 5 muaj nga afati i detyrueshëm ligjor.
Përzgjedhja e anëtarit për vendin bosh është kompetencë e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Por procedura nuk po ecën dhe nuk ka ende informacion publik për aplikimet apo për emrin që do t’i propozohet Kuvendit.
Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, vendimi real për këtë emër pritet të merret nga Edi Rama, pavarësisht se formalisht kompetenca i takon Kuvendit.
Për më shumë, klikoni në linkun e edicionit të lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje