Ditën e sotme janë përuruar ambientet e reja të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në një ceremoni, drejtuesi i institucionit, Erion Bani theksoi se investimi shënon një standard të ri për funksionimin e gjykatës.
“Sot po vendoset një standard i ri institucional për GJKKO, më modern, më funksional, më dinjitoz dhe më transparent”, deklaroi ai gjatë fjalës së tij.
Sipas Banit, drejtësia nuk është një strukturë që ekziston në vetvete, por një shërbim i drejtpërdrejtë për qytetarin dhe për forcimin e besimit publik.
“Gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për qytetarin dhe për besimin publik”, u shpreh ai.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ambientit ku jepet drejtësia, duke e konsideruar atë pjesë të mesazhit që institucioni përcjell.
“Ambienti ku jepet drejtësi është pjesë e vetë mesazhit të drejtësisë dhe e cilësisë së saj”, tha Bani, duke shtuar se frymëzimi për këtë transformim vjen edhe nga përvoja ndërkombëtare, përfshirë sistemin gjyqësor në Shtetet e Bashkuara.
Bani nënvizoi se infrastruktura gjyqësore është pjesë e kulturës së drejtësisë dhe autoritetit të ligjit, duke e cilësuar investimin jo si luks, por si domosdoshmëri institucionale.
“Ky transformim nuk është luks, por domosdoshmëri institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarit”, tha ai.
Duke folur për funksionimin e sallave të gjykimit, Bani i cilësoi ato si “zemra e gjykatës”, të cilat duhet të garantojnë solemnitet, barazi dhe dinjitet në proces.
Ai vuri theksin edhe te transparenca, të cilën e konsideroi pjesë të kulturës institucionale dhe jo thjesht një detyrim formal. Sipas tij, media luan rol të rëndësishëm në forcimin e kësaj transparence dhe besimit publik.
Në deklaratat e tij, Bani u ndal edhe te siguria në procesin gjyqësor, duke theksuar se ajo nuk bie ndesh me dinjitetin, por bashkëjeton me të.
“Një gjykatë më e sigurt është një gjykatë më e pavarur dhe më funksionale”, u shpreh ai.
Në përfundim, ai theksoi rëndësinë e rikthimit të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke nënvizuar se ato duhet t’i shërbejnë shoqërisë dhe jo krimit.
Lini një Përgjigje