Italianët dhe turistë të tjerë europianë po vërshojnë në turma drejt Shqipërisë, një nga vendet më të varfra të Europës, imazhi i së cilës është përlyer prej kohësh nga korrupsioni dhe krimi i organizuar...
Të gjithë italianët janë dyndur drejt Shqipërisë këtë verë, përfshirë edhe kryeministren Giorgia Meloni.
Kryeministrja u largua nga një shtëpi pushimi e rrethuar nga pemë ulliri në Pulia dhe hipi në një traget të mbushur me turistë, për të shkuar në Vlorë, plazhet e së cilës rivalizojnë ato italiane në krahun tjetër të Adriatikut.
Katalizatori për udhëtimin e saj të shkurtër dhe të minutës së fundit ishte zbulimi se mijëra italianë i kanë shmangur shezlonget e shtrenjta për të shkuar drejt Shqipërisë, një trend që ka krijuar pakënaqësi te disa zyrtarë të qeverisë italiane.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndezi debatin pasi u mburr në rrjetet sociale për “pushtimin” e “gati gjysmë milioni” turistëve italianë. Ai e ilustroi rastin duke hequr një paralele me një traget të mbushur plot shqiptarë kur ata u larguan në vitin 1991.
Për të qetësuar ujërat, Rama i bëri një ftesë Melonit, e cila kaloi disa orë me vajzën dhe partnerin e saj në shtëpinë e pushimit buzë detit.
“Ajo doli [nga trageti] me një tufë të madhe italianësh që dukeshin shumë krenarë për shoqëruesin e tyre të veçantë të udhëtimit dhe po bërtisnin teksa ajo zbriste”, tha Rama për Guardian. “Ajo që është e mrekullueshme për Giorgia është se ajo është autentike dhe shumë e drejtpërdrejtë – ajo që shihni është ajo që merrni. Fjalët e saj të para pasi e shoqërova në vendin ku qëndroi ishin: 'Ua, sa i bukur është ky qytet!’”
Italianët dhe turistë të tjerë europianë po vërshojnë në turma drejt Shqipërisë, një nga vendet më të varfra të Europës, imazhi i së cilës është përlyer prej kohësh nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Por, ata tërhiqen nga plazhet dhe malet. Ata janë kryesisht të magjepsur, siç pranon Rama, nga kostot e lira të vendit.
Pushuesit italianë, veçanërisht ata në Pulia, janë acaruar gjithnjë e më shumë këtë verë nga kostot ndonjëherë të tepruara.
Kostoja mesatare e marrjes me qira të dy shezlloneve dhe një ombrellë për ditën është midis 35 € dhe 50 € në ditë në Pulia - dukshëm më e lartë se në Shqipëri, ku kostoja është mesatarisht 10 euro.
“Çmimet më të ulëta këtu padyshim që e bëjnë magjinë e tyre, por mendoj se është më shumë se vetëm çmimet”, tha Rama. “Shqipëria ka hequr qafe më në fund stigmën e tmerrshme të viteve '90 që na persekutoi për kaq shumë vite. Shqipëria është tashmë destinacioni i ri turistik që do të zbulohet në Mesdhe”, shtoi ai.
Ndër ata që udhëtonin për herë të parë në Shqipëri ishte Alessandro, një 32-vjeçar që jeton në Bolonjë, por u rrit në Salento, një zonë e Pulias në thembrën e çizmes së Italisë, e njohur për plazhet e saj të virgjëra. Ai dhe e dashura e tij e nisën udhëtimin e tyre këtë fundjavë me një vizitë në lumin e Shalës në veri para se të niseshin për në bregdet.
“Ne gjithmonë na pëlqen të vizitojmë vende të ndryshme dhe mua më pëlqen shumë Evropa Lindore, kështu që vetë vendi është motivi i parë,” tha ai. “E dyta është çmimi. Edhe shumë kolegë të mi shkojnë në Shqipëri sepse është më lirë se Pulia, apo Siçilia, Sardenja dhe Toskana. Ato janë të gjitha të bukura, por të gjitha kushtojnë shumë më tepër këtë vit.”
Ndërsa numri i turistëve të huaj në Itali është rritur këtë vit krahasuar me vitin 2022, udhëtimet e brendshme janë ulur deri në 30%, sipas shifrave të këtij muaji nga shoqata e turizmit, Federturismo. Disa italianë kanë hequr dorë fare nga pushimet për shkak të kostos së lartë të jetesës, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur destinacione më të lira edhe nëse kjo nënkupton pagesën e fluturimeve apo trageteve. Demoskopia, instituti i kërkimit, tha se kostoja e një pushimi në Itali ishte rritur me një mesatare prej 9% krahasuar me vitin 2022.
Edhe pse shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre, të shtyrë kryesisht nga varfëria dhe korrupsioni, vendi po tërhiqte vizitorë spanjollë, britanikë, amerikanë “e madje edhe australianë”, tha Rama.
Rama është fokusuar shumë te turizmi vitet e fundit. Hotele të reja kanë dalë dhe një aeroport pritet të hapet në Vlorë vitin e ardhshëm. Shqipëria po bëhet gjithashtu gjithnjë e më e popullarizuar në mesin e udhëtarëve të rinj për skenën e saj të festave, me shtypin italian që e krahason atë me Rimini në vitet 1960. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje