
Një tentativë grabitjeje në Lezhë përfundoi me të shtëna me armë zjarri dhe dhunimin e të zotit të shtëpisë, i cili ka qenë vetëm në banesë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të kësaj të hëne në fshatin Malecaj të Lezhës, teksa dy persona të maskuar dhe të armatosur hynë në banesën e familjes Buja.
Një prej fqinjëve të familjes Buja tregon se ka dëgjuar zhurmën e armës së zjarrit, teksa më vonë ka parë që bashkëfshatari i saj ishte dhunur në përpjekje për t’i shpëtuar autorëve.
“Me dalë jashtë kishim frikë. Shtëpia ime është pak më andej, kam dalë në dritare kam dëgjuar duke u dridhur. Krisi arma. Unë mendova se i ka zënë shtëpia. E pashë dhe më tha që kam shpëtuar. Më tha që i kapa grykën e armës dhe e ngrita lart. Pastaj njëri më kapi me grushta nga turnjtë. E ka fytyrën zi. Jam shumë e frikësuar sepse ai që nuk dëshiron të punojë për një 10 mijë lekësh të merr shpirtin”, tha fqinja.
Ndërkohë, ditën e sotme policia ka marrë në pyetje kryefamiljarin Nikollë Buja i cili ka pohuar se nuk ka dijeni për personat të cilët tentuan t’i grabisnin banesën, ndërsa kërkon nga efektivët zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Policia ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen.
Lini një Përgjigje