
Situata është tensionuar në KZAZ nr. 87 në Vlorë gjatë procesit të numërimit të votave, ku disa vëzhgues të partive të ndryshme politike janë përplasur me numëruesit dhe policinë. Shkak për përplasjen janë bërë kontestimet për një votë të diskutueshme dhe për pretendimet mbi ndryshime në vulat e fletëve të votimit.
Pas debatit të ndezur, është kërkuar ndërhyrja e forcave të rendit, të cilat kanë udhëzuar një pjesë të vëzhguesve të largohen nga dy rreshtat e parë të sallës, ku ndodhej procesi i numërimit. Një pjesë e tyre u bind, ndërsa të tjerë refuzuan dhe u zhvendosën në karriget e sipërme, duke vijuar debatet edhe me efektivët e policisë.
Incidenti është një tjetër dëshmi e tensioneve që kanë shoqëruar procesin e numërimit në disa zona, ku vëzhguesit e partive kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për mënyrën e administrimit dhe transparencën e votave. Deri tani nuk raportohen të ndaluar, por situata mbetet nën vëzhgim nga forcat e rendit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Lini një Përgjigje