TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Prill 2025, 09:33

Tenderi mbi 660 mijë euro për pajisje përgjimi, si po “armatosen” prokurorët jashtë SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Tenderi mbi 660 mijë euro për pajisje përgjimi, si po

Gjatë 2024, referuar raportimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, nga Prokurorët e rretheve janë përgjuar 2361 telefona, me qëllim hetimet për krimet kundër personit, lëndët narkotike dhe vjedhjet e mashtrimet.

Jo vetëm SPAK, por edhe Prokuroria e Përgjithshme, po shton kapacitetet sa i takon pajisjeve përgjuese, që shërbejnë në punën e institucioneve ligjzbatuese për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

E ndërsa deri më tani vëmendja është përqëndruar te Prokuroria Speciale, në anën tjetër Prokuroria e Përgjithshme, e cila organizon punën e prokurorive të Rretheve Gjyqësore, po mendon të rrisë kapacitetet e saj përsa i takon sistemit të përgjimit. Për këtë është çelur tenderi me fond limit prej mbi 65 milionë lekë, ose 660 mijë euro, referuar kursit ditor të këmbimit valutor, në datën kur është bërë edhe shpallja e procedurës.

Procedura e ndjekur për këtë tender specifik është me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Referuar dokumenteve, Prokuroria e Përgjithshme me fondin limit prej 65,188,200 (gjashtëdhjetë e pesë milion e njëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e dyqind) Lekë pa TVSH, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë datë 26.03.2025, ku Euro këmbehet me 98.77 Lekë / ose 660 000 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë) Euro, synon “mirëmbajtje të sistemit të përgjimit, rinovim me pajisje, instalim, implementim”. Kontrata zgjat 3 vjet dhe është e ndarë në lote, por operatori, referuar dokumentit zyrtar mund të marrë përsipër të gjitha lotët.

Tenderi mbi 660 mijë euro për pajisje përgjimi, si po

Afati për paraqitjen e ofertave nga kompanitë është 28 prilli 2025, pra dita e hënë, Fondi i vënë në dispozicion në tenderin e 2025 nga Prokuroria e Përgjithshme është pothuajse 100 mijë euro më i lartë se ai i aplikuar në tenderin e fundit me të njëjtin qëllim, ndonëse këtu mund të ketë ndikuar kursi i këmbimit valutor.

Mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit në Prokurorinë e Përgjithshme 3 vite më parë është kryer nga një kompani italiane, ndërsa nuk dihet nëse do të vijojë e njëjta, apo për 3 vitet e ardhshme do të ketë një tjetër ofertues.

Gjatë 2024, referuar raportimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, nga Prokurorët e rretheve janë përgjuar 2361 telefona, me qëllim hetimet për krimet kundër personit, lëndët narkotike dhe vjedhjet e mashtrimet.

Ndërkohë prokuroritë e rretheve kanë marrë një rol të veçantë për zgjedhjet e 11 majit, ku bashkë me një prokuror të SPAK dhe grupe hetimi nga BKH, do të hetojnë krimet zgjedhore, një çështje që konsiderohet e nxehtë dhe një sfidë për sistemin e drejtësisë në vend.

Referuar ligjit shqiptar të përgjimeve, në të thuhet se "bërthama komanduese elektronike" është pajisja teknike ne administrim te Zyrës se Prokurorit te Përgjithshëm, e cila lejon ose ndalon përgjimin e një pajisjeje komunikim elektronik. "Objekt përgjimi" janë sinjalet, shkrimet, fotografitë, te dhënat audiovizuale ose lloj tjetër informacioni, për te marre ose transmetuar nëpërmjet pajisjeve te komunikim elektronikit.

“Sipërmarrës i komunikimeve elektronike” është çdo person fizik ose juridik, i cili ofron rrjete të komunikimeve elektronike dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë.

Organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit janë Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore te Ministrise se Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejte të kërkojnë përgjimin, për të siguruar te dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave te tyre ligjore. /Pamfleti/

 

 

Lini një Përgjigje