
Transporti urban në Tiranë, është një problem real dhe i pazgjidhur në kryeqytetin tonë.
Nuk janë të pakta videot e shpërndara në rrjetet sociale ku pedofilë bëjnë veprime të turpshme në mes të udhëtarëve, ka vjedhje apo shoferët e fatorinot kanë një fjalor të larmishëm banal. Pa harruar aksidentet e shpeshta që kanë ndodhur në muajt e fundit, ku fatmirësisht nuk ka pasur fatalitete.
‘Piranjat’ kanë dalë për të vëzhguar dhe parë realisht situatën e autobusëve në kryeqytet. Gjatë vëzhgimit tonë kupton shumë qartë problemet që tregojnë dhe shoferët vetë. ‘Janë autobusë që i kanë kaluar kilometrat e tyre, janë amortizuar, por çfarë të bëjmë duhet të punojmë. Kanë shumë probleme autobusët tanë, janë jashtë standarteve. Gomat janë të konsumuara. Ata në fakt që kur vijnë në Shqipëri janë me problem, i kanë plotësuar kilometrat që kur janë jashtë. Prandaj ndodhin dhe aksidente’, kanë deklaruar shoferët njëzëri.
‘Piranjat’ pasi provuan një eksperiencë me të cilën qindra qytetarë të Tiranes përballen thuajse çdo ditë, konstatuan nga afër se si problemet teknike të mjeteve janë nga më të ndryshmet. Një shofer hidhte ujë autobusit sepse nga kilometrat e tepërta nxehet shumë dhe duhet të pushojë. Por a bëhen kontrolle te këta autobusë? ‘Bëhen, por normalisht manipulohen siç ndodh këtu. Mbyllet një sy dhe kaq. Skemë korruptive si në Shqipëri’, deklaron shkurtimisht një nga drejtuesit e autobusëve në kryeqytet.
Pagesat që marrin këta punonjës janë shumë të vogla. Ata kanë vështirësi të shtyjnë muajin dhe nuk janë aspak të kënaqur me kushtet e punës. Diçka e tillë sjell dhe problemet me shërbimin dhe harbutërinë që karakterizon punonjësit e këtyre urbanëve.
Lini një Përgjigje