TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2025, 15:36

SPAK shtyn me 6 muaj hetimet për Ilir Metën, avokati: Po mbahet në paraburgim politikisht

Shkruar nga Pamfleti

SPAK shtyn me 6 muaj hetimet për Ilir Metën, avokati: Po mbahet

SPAK ka zgjatur me 6 muaj afatet hetimore për Presidentin e PL-së, Ilir Meta. Hetimet për Metën u zgjatën me pretendimin se priten prova të reja, ndërsa Presidenti i PL-së po hetohet për lobimin në SHBA dhe aferën CEZ/DIA.

Avokati Kujtim Cakrani e konsideroi të panevojshme zgjatjen e hetimeve, ndërsa akuzoi SPAK si Prokurori politike.

Cakrani tha se kërkesa e SPAK për shtyrjen e afateve hetimore vjen në një kohë kur priste që klienti i tij të lirohej nga paraburgimi, ku ndodhet prej tetorit të 2024-ës. Ai tha se SPAK ka tejkaluar të gjitha afatet në rastin e ish-Presidentit.

“Ne sot u thirrëm në SPAK për të na u komunikuar zgjatja e hetimeve për Ilir Metën. Duke parë që afati përfundon nesër prokurorët vendosën zgjetjen e hetimeve me 6 muaj.

Kjo vepër penale që akuzohet Meta është regjistruar në vitin 2019, deri sot kanë kaluar afërsisht 6 vite. SPAK nuk ka mbledhur akoma prova për të implikuar Metën dhe ai po rri sot në paraburgim për akuza që nuk i di.

Thelbi është pse po mbahet në paraburgim ish-Presidenti i Republikës. Dhe Putini i ka arrestuar në mënyrë qytetare, Meta është rrëmbyer”, tha avokati.

Sipas Cakranit, Meta ndodhet prej 7 muajsh në paraburgim dhe SPAK nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për të kërkuar nga Gjykata çdo dy muaj vazhdimin e masës së paraburgimit.

“Çështjen do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg. Si ka mundësi që SPAK, edhe pas një viti, të thotë se nuk ka prova për të vijuar hetimet ndaj Metës? Këtu kam një shkresë ku Prokuroria kërkon sërish zgjatjen e afatit me 6 muaj të tjerë”, tha ai.

Sipas avokatit, kjo është hera e dytë që kërkohet zgjatje me një shkresë “të thatë” sipas tij, ku thuhet se “presin prova, presin akt-ekspertim të ish-vjehrrës”. “Po çfarë lidhje ka zoti Meta me aktet e ekspertimit të vjehrrës?”, shtroi ai pyetjen.

“Meta po qëndron në paraburgim për akuza që as SPAK nuk i di. Kanë 6 vite dhe ende s’kanë mbledhur asnjë provë për ish-presidentin Ilir Meta. Nuk kuptojmë pse mbahet në paraburgim. Pse mbahet në paraburgim Ilir Meta? Kjo është pyetja që shtrohet. Ne nuk jemi kundër hetimit, ai është pro hetimit, por pse mbahet në paraburgim?”

Avokati theksoi se të gjithë e dinë që Meta mbahet për çështje politike.

“Ky procedim ka nisur 6 vite më parë. Po të donte SPAK, do kishte ndikuar te kolegët e tyre në Prokurorinë e Tiranës për hetimet, për të zbardhur se si u rrëmbye Ilir Meta nga ata policë", tha Cakrani.

Avokati paralajmëroi se këtë çështje do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, duke kundërshtuar qëndrimin e Metës në burg, sipas tij pa prova, si edhe mënyrën e arrestimit, që do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Lini një Përgjigje