Meloni shpërthen kundër Izraelit: Është fyerje ndaj besimtarëve dhe lirisë fetare në një nga ditët më të shenjta të krishterimit
Një incident i pazakontë dhe me jehonë të fortë diplomatike ka tronditur Jerusalemin në të Dielën e Palmave. Policia izraelite pengoi Kardinalin Pierbattista Pizzaballa, Patriarkun Latin të Jerusalemit, dhe At Francesco Ielpo, Kujdestarin e Tokës së Shenjtë, të hynin në Kishën e Varrit të Shenjtë, ku do të kremtonin meshën e një prej ditëve më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Vetë Patriarkana Latine e Jerusalemit e cilësoi aktin si një “precedent të rëndë”, duke deklaruar se masa ishte “qartësisht e paarsyeshme dhe jashtëzakonisht joproporcionale”. Sipas deklaratës zyrtare, dy klerikët nuk po merrnin pjesë në procesion publik, por po lëviznin privatisht drejt kishës, çka e bën edhe më të fortë akuzën se bëhet fjalë për një tejkalim të pajustifikuar të autoriteteve izraelite.
Rasti ka shkaktuar reagim të menjëhershëm në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni e dënoi publikisht ndalimin, duke e konsideruar jo vetëm një fyerje ndaj besimtarëve, por edhe ndaj vetë parimit të lirisë fetare. Reagimi italian e ngre incidentin nga një përplasje sigurie në terren, në një çështje me peshë politike dhe ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, policia izraelite ka mbrojtur veprimin me argumentin e situatës së sigurisë, duke pretenduar se hyrja ishte refuzuar më herët për shkak të rrezikut operacional në Qytetin e Vjetër dhe pamundësisë për ndërhyrje të shpejtë të mjeteve emergjente në rast të një incidenti masiv.
Por pikërisht këtu nis përplasja reale: mes arsyetimit të sigurisë dhe të drejtës për ushtrimin e lirë të besimit në një vend që për miliarda të krishterë ka peshë unike shpirtërore. Në një rajon të ndezur nga lufta dhe tensionet, ky episod rrezikon të lexohet jo thjesht si masë policore, por si sinjal i rrezikshëm për statusin e vendeve të shenjta dhe për marrëdhënien e shtetit izraelit me komunitetet e krishtera në Tokën e Shenjtë./Pamfleti
Izraeli, a mund te rrezikohet nga nje kardinal dhe nga personat qe shoqeronin kardinalin?