Çështja Beleri është bërë “mollë sherri” për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa kjo e fundit nuk i ka ndalur sulmet ndaj vendit tonë...
Zv-ministri i jashtëm grek, Jorgos Kotsiras nga Këlcyra ka sulmuar haptazi qeverinë shqiptare gjatë ceremonisë së organizuar në fshatin Bularat të Dropullit, përsa i përket çështjes Beleri.
Paraditen e sotme në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë u zhvillua ceremonia në nderim të JO-së së Greqisë kundër fashizmit italian, që përkujton 28 tetorin e 1940-ës kur nisi lufta italo-greke. I pranishëm në ceremoni ishte dhe zv/ministri i jashtëm grek, i cili përsëriti qëndrimin e Greqisë për çështjen Beleri.
Zyrtari grek deklaroi se Greqia shpreson që çështja Beleri të zgjidhet sa më shpejt nga autoritetet shqiptare dhe sipas standardeve të BE.
Mesazhi në fjalë u dha nga Kotsiras në varrezat ku prehen ushtarët grekë.
“Ashtu siç është diskutuar marrëveshja dy paleshe për eshtrat, të njëjtin bashkëpunim kërkojmë për çështjen Beleri me qëllim që të mos vazhdojë të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Siç është theksuar nga kryeministri Mitsotakis, Fredi Beleri ka të drejtë të betohet si kryetar i bashkisë se Himarës, e drejtë që buron nga kushtetuta dhe është absolutisht korrekte me të drejtën europiane, Greqi mbështet në mënyë të palëkundur hyrjen e Shqipërisë në BE, por kjo nënkupton respektimin e shtetit ligjor”, tha zyrtari grek.
Ajo çfarë bie në sy dhe mund ta cilësojmë si skandaloze është heshtja e prefektit të Gjirokastrës, Odise Kote, si përfaqësues i vetëm i qeverisë shqiptare, i cili ka përcjellë me indiferetizëm sulmin e zyrtarit të lartë grek në një ceremoni zyrtare.
Ky i fundit si përfaqësuesi i vetëm i qeverisë shqiptare, nuk ka reaguar fare, duke pranuar indirekt pretendimet e grekëve për lirimin e Belerit dhe mbajtjen padrejtësisht në burg të tij.
Mirëpo, veprimi i Kotes është cilësuar si skandal, pasi ai duhet të kishte reaguar në momentin që grekët vijojnë të sulmojnë vendin tonë duke na kërcënuar me mos përkrahjen gjatë anëtarësimit në BE.
Më tej diplomati grek Jorgos Kotsiras dhe konsullja e përgjithshme shkuan në Bularat ku vendosën lule në varrin e Konstantinos Katsifas. Me dhjetëra pelegrinë u mblodhën sot në fshatin Bularat për të përkujtuar 5 vjetorin e vrasjes së ekstremistit Konstatinos Kacifas ndërsa në kishën e fshatit u mbajt një meshë për nder të tij.
Para varrit të birit të saj, e ëma e Katsifas nuk ka kursyer anatemimet ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Kostandini është një yll i Vorio Epirit edhe pse Rama nuk do të mundet të burgosë një komb. Heronjtë nuk burgosen. Kostandini na jep forcë nga qielli. Të gjithë deputetët janë të paaftë që harruan trimat që ranë për liri”, tha ajo.
Vlen të përmendin se nuk është hera e parë që zyrtarë të shtetit grek ‘kërcënojnë’ Shqipërinë për çështjen Beleri. Ky i fundit ndodhet në burg teksa akuzohet për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit. Grekët kërkojnë nga qeveria shqiptare që të lirojnë Belerin dhe në këtë mënyrë ai mund të betohet si kryebashkiak i Himarës.
Lini një Përgjigje