
Zbulohen detaje të reja lidhur me plagosjen e dy 16-vjeçarëve në Kamëz. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një sherri mes nxënësve të gjimnazit “Ibrahim Rugova” dhe gjimnazit profesional.
Sherri mes të rinjve ka vijuar jashtë ambienteve të shkollës dhe ka rezultuar me plagosjen e dy 16-vjeçarëve. Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije për “Euronews Albania” se një prej të plagosurve është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se mjeti prerës ka depërtuar deri në mushkëri.
“Njëri prej dy të miturve është në gjendje të rëndë shëndetësor, ai ka një plagë të shkaktuar në gjoks. Mjeti prerës ka depërtuar në mushkëri. Është në monitorim intensiv. Ndërsa i mituri tjetër është jashtë rrezikut për jetën. Situata është alarmante sidomos për prindërit e njëri prej fëmijëve”, u shpreh gazetarja.
Ajo ka shtuar se në konflikt janë përfshirë 5 të mitur nga mosha 15-17 vjeç. Dy gjimnazet ndodhen në një distancë 150 metra nga njëra-tjetrën. Konflikti ka ndodhur në shkollë dhe ka vijuar në rrugicën që bashkon dy gjimnazet.
“Nxënësit janë të shokuar, fillimisht nuk e kanë ditur se çfarë ka ndodhur në pushimin e gjatë. Por, më pas kanë dëgjuar nxënësit dhe vajzat duke qarë se dikush po zihet dhe kanë mjete të ftohta. Policia ka reaguar menjëherë.
Prindërit kanë lënë punët, me frikën se mos kanë qenë fëmijët e tyre pjesë e konfliktit. Shumë prej tyre kanë marrë fëmijët nga ambientet e mësimit duke ndërprerë në mes mësimin për ditën e sotme. Ata kërkojnë shtimin e masave të sigurisë dhe të oficerëve të sigurisë brenda por edhe jashtë shkollave”, shtoi ajo.
Lini një Përgjigje