I Ngarkuari me Punë i SHBA David Wisner dhe Ambasadori i BE-së Gonzato diskutuan rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, Planin e Rritjes në BE dhe rolin që luan reforma në drejtësi në nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë dërguar një tjetër mesazh drejtësisë se lufta ndaj korrupsionit është një betejë për jetë a vdekje.
Sipas përfaqësuesve të tyre në vendin tonë, nëse drejtësia nuk godet të paprekshmit, nuk do ketë të ardhme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Deklaratat erdhën në "Balkanomics", një konferencë rajonale e bashkëorganizuar nga USAID kushtuar forcimit të konkurrencës ekonomike në rajon. Gjatë një diskutimi në panel të moderuar nga drejtuesja e USAID/Shqipëri Mischere Kawas, i Ngarkuari me Punë i SHBA David Wisner dhe Ambasadori i BE-së Gonzato diskutuan rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, Planin e Rritjes në BE dhe rolin që luan reforma në drejtësi në nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Sipas tyre, partneriteti SHBA-BE siguron mbështetje të vazhdueshme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt një të ardhmeje më demokratike, më të sigurt dhe të begatë.
“Drejtësia duhet të shmangë korrupsionin dhe të mos lejojë keqpërdorim e të mirave publike”, tha Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri.
“Drejtësia që i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë është thelbësore. Kjo është diçka që të gjithë biem dakord dhe është vendimtare”, u shpreh David Wisner, i ngarkuari me punë i SHBA-së në Tiranë.
Sipas ambasadorit të BE, kur secili prej hapave përmbushet ka një sasi të caktuar parash që lëvrohen në interes të Shqipërisë. Ai shtoi se procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kërkon shumë punë. “Mund të kesh bërë shumë përpjekje, dhe përfitimet janë të vështira për t'u menaxhuar. Sa më shumë ecni përpara drejt BE aq më shumë vende do të integrohen ekonomikisht. Të themi të vërtetën Shqipëria është ende një treg i izoluar. Duhet të nxisim bashkëpunimin ekonomik fillimisht të vendeve të Ballkanit”, u shpreh Gonzato.
Ndërsa ambasadori i SHBA tha se puna e tyre në vendin tonë përqendrohemi tek mbrojtja, demokracia dhe biznesi. Po ashtu u ndal te drejtësia. “Kemi qenë të përqendruar në reformën në drejtësi dhe kemi parë përparim të jashtëzakonshëm në drejtësi. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar shumë gjëra. Është e domosdoshme që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE. Plani i rritjes është një simbol i madh sepse ka mundësi që të sjellë përparim tepër madhor dhe do të rrisin hapat e Ballkanit drejt BE”, theksoi Wisner.
Konferenca Rajonale “Balkonomics” mblodhi në Tiranë rreth 28 liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Rajoni.
Lini një Përgjigje