28 hektarë sera në fshatin Salcë-Kozare, në Njësinë Administrative Kozare të Kuçovës, vijojnë të jenë ende nën ujë pas përmbytjes së ditëve të fundit, e shkaktuar nga vërshimi i ujit pas hapjes së portave të hidrocentralit të Banjës.
Përmbytjet kanë prekur gjithashtu rreth 60 hektarë tokë bujqësore dhe pemë frutore, ndërsa në këtë zonë raportohet edhe ngordhja e disa krerëve dele dhe kafshësh shtëpiake.
Banorët pohojnë se niveli i ujit në sera ka arritur deri në 1 metër, një situatë e paprecedentë për ta, në një kohë kur të gjitha kulturat ndodheshin në fazë prodhimi. Fermerët theksojnë se dëmet janë të pallogaritshme, pasi e gjithë ekonomia familjare mbështetet te të ardhurat nga prodhimi i serave dhe tokave bujqësore, të cilat edhe aktualisht mbeten të përmbytura. Sipas tyre, prodhimi që ishte gati për vjelje është shkatërruar plotësisht dhe pa mbështetje nga shteti rrezikojnë falimentimin.
Fermerët shprehen se dhjetëra hektarë me sera dhe kultura perimore kanë qëndruar për një kohë të gjatë nën ujë, duke sjellë kalbjen e rrënjëve dhe humbjen e fidanëve. Ata sqarojnë se cikli i prodhimit duhet të nisë nga e para, por kjo mund të ndodhë vetëm pas 3 deri në 4 muajsh, kohë e nevojshme për tharjen e plotë të tokës. Sipas tyre, procesi i verifikimit të dëmeve është kryer.
Lini një Përgjigje