Fatkeqësia e një populli u kthye në pasuri për një grusht zyrtarësh lokalë. Emrat i kemi, faktet po dalin një nga një...
Ish-kryeministri Sali Berisha del e flet për skandalet dhe abuzimet me fondet e rindërtimit pas tërmetit, por ende nuk e ka kthyer kokën nga një tjetër masakër korruptive e pashembullt që ka ndodhur në Pezë, Ndroq dhe Vorë. Në këto zona, klanet e njohura për lidhjet e tyre politike kanë ngritur perandori të vërteta financiare mbi fatkeqësinë e qytetarëve.
Berisha ishte sot në Durrës dhe pa nga afër disa familje që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti. Ai akuzoi Gjushin dhe Emiriana Sakon, por ka një masakër më të madhe në Tiranë.
Berisha duhet të vizitojë Pezën ku Besmir Kola, ish-administrator i njësisë, i cili edhe pse është denoncuar me zë dhe figurë nga dhjetëra banorë për tjetërsim pronash, është kthyer në një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të rindërtimit.
Shtëpitë u ndërtuan për “familjarët e prekur”, por në fakt përfunduan në emër të kunetërve, vëllezërve, shokëve të ngushtë dhe klientëve të pushtetit lokal. Vetë Kola sot ka disa prona, makina të shtrenjta dhe ndërtime që nuk i justifikon dot me asnjë pagë shteti.
Në Ndroq, situata është edhe më qesharake. Xhavit Ceka, ish-kapter dhe më pas kryetar njësie, ka futur të gjithë fisin në skemën e rindërtimit. Ndërkohë që të pastrehët flenë ende në baraka, njerëz pa asnjë dëmtim në banesë kanë marrë ndihma, grante, dhe madje edhe apartamente. Burime brenda bashkisë pohojnë se janë dhënë mbi 100 leje ndërtimi në tokë shtetërore, në emër të njerëzve të lidhur me Xhavitin. E gjitha kjo, me heshtjen kriminale të institucioneve.
Blerim Shera, i njohur ndryshe si “Mamuthi i Rindërtimit”, ka ngritur një rrjet të mirëfilltë zhvatjeje. Toka shtetërore e dhuruar për të prekurit nga tërmeti është përvetësuar nga miqtë e tij. Shera ka blerë vila në Gjirin e Lalzit, apartamente në Tiranë dhe një flotë makinash luksoze. Ai nuk është thjesht zyrtar lokal, është simboli i asaj që ndodhi pas tërmetit: grabitje me vula, me tenderë dhe me emra fallco.
Ndaj në vend që Sali Berisha të vazhdojë të dëgjojë vetëm fjalët e atyre që s’kanë parë gjë tjetër veç ekranit të “Edi Ramës”, le të shkojë vetë në Pezë, në Ndroq, në Vorë. Le të flasë me njerëzit, le të shohë shtëpitë e rrënuara dhe pallatet e reja të oligarkëve lokalë. Aty ndodhi një nga vjedhjet më të rënda që ka parë Shqipëria në dekadën e fundit.
Mos harrojmë që kemi dhe një Pastor që gjezdis fshat më fshat sikur të ketë zbritur nga qielli. E kemi fjalën për Toni Gogun që harron se partia e tij është në pushtet dhe shkon nëpër fshatra e premton certifikata pronësie. Na u shfaq në fshatin Arbanë pak ditë më parë, një zonë e harruar, por që pastori e përdor për të mbledhur vota. Edhe aty pati disa banesa të dëmtuara nga tërmeti, por pastor Gogu nuk u kujtua në atë kohë.
Le të mos harrojmë: fatkeqësia e një populli u kthye në pasuri për një grusht zyrtarësh lokalë. Emrat i kemi, faktet po dalin një nga një. Tani pritet drejtësia ose të paktën një zë i fuqishëm që t’i thërrasë me emër. /Pamfleti
Lini një Përgjigje