TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Dhjetor 2025, 21:54

Rriten rastet e dhunës në familje në Durrës, 545 denoncime gjatë vitit 2025!

Shkruar nga Pamfleti

Rriten rastet e dhunës në familje në Durrës, 545 denoncime

Në Durrës, dhuna në familje ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë këtij viti. Të dhënat e Policisë së qarkut tregojnë se fenomeni po përhapet kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike dhe nivelit të ulët arsimor të dhunuesve.

Nga muaji janar deri në fund të nëntorit, në Policinë e Durrësit janë regjistruar 545 denoncime për dhunë në familje. Sipas autoriteteve dhe ekspertëve të fushës, këto shifra përbëjnë një sinjal alarmi për situatën në familjet në këtë qytet bregdetar.

“Dhuna në familje është kthyer në një fenomen shumë shqetësues që, fatkeqësisht, rritet çdo vit. Krahasimi i statistikave 2023–2024 me ato të 2025-s tregon një rritje rreth 10%, çka e bën situatën të alarmante,” shprehet avokatja Shqiponja Meta.

Duke analizuar shkaqet kryesore të kësaj rritjeje, Meta thekson faktorët ekonomikë dhe nivelin e ulët arsimor të individëve të përfshirë.

“Janë disa faktorë që ndikojnë, por do të veçoja atë ekonomik. Shpeshherë dhuna ushtrohet nga të rinj të papunë që kanë marrë përsipër të krijojnë familje. Po ashtu, familja shqiptare, për fat të keq, në shumë raste vazhdon të mbetet patriarkale, duke i dhënë përparësi mashkullit ndaj gruas. Shumica e autorëve të dhunës kanë arsim deri në 9-vjeçar, mbajnë mentalitet patriarkal dhe shpesh janë nën efektin e drogës. Edhe dënimi me burg nuk mjafton për të ndalur dhunën, sepse ata kthehen edhe më të egër. Duhet të ketë institucione për rehabilitimin e dhunuesve. Në praktikë kam pasur raste që janë kthyer 2–3 herë”, sqaron avokatja për “EuronewsAlbania”

Ndërkohë, gjatë vitit 2025, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka dhënë 49 vendime për çështje të dhunës në familje: 41 dënime me burg, 5 masa detyrimi paraqitjeje dhe 3 urdhra për mjekim të detyruar ambulator.

Lini një Përgjigje