
Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, juristi Kara shprehet se nisur nga fakti që presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është alarmuar, atë e presin ditë të vështira, pasi do të përballet me drejtësinë sa i takon aferave korruptive dhe kriminale që dyshohet se është përfshirë dhe që po hetohet. Po ashtu, avokat Romeo Kara nxjerr detajet e forta dhe flet për politikanin e njohur të përfshirë në kompani offshore që peshoi 2 milionë e 400 mijë euro se përtonte t’i numëronte.
-Avokat Kara, çfarë do të ndodh me dosjet e Ilir Metës që ju keni kallëzuar edhe çështjen “CEZ-DIA”, a e konsideroni në vonesë drejtësinë apo jo?
Deri diku edhe me vonesë e konsideroj, por duke njohur dosjen, duke njohur politikisht edhe më tej Ilir Metën si person, mendoj që deklaratat e tij janë shprehja më e saktë që konfirmojnë se ai është në pozitë të vështirë dhe që ai e pret nga momenti në moment një përballje finale me organet e drejtësisë, duke filluar SPAK-u e më pas me të tjerët. Gjithë retorika e tij, denigruese dhe kërcënuese karshi SPAK-ut dhe pjesëtarëve të tjerë në proces duke filluar nga unë si kallëzues dhe atyre që kanë dëshmuar, ai më mirë se kushdo e di hesapet e tij me përballjen finale me drejtësinë do të jetë shumë afër.
-Do të jetë shumë afër në bindjen tuaj apo keni patur komunikim?
Kurrë nuk kam abuzuar, kam bindje dhe është një logjikë procesi dhe nuk abuzoj kurrë me informacione se këtë e di unë, këtë ma tha dikush, jo. Ky proces do të shkojë këtu dhe të gjitha veprimet e tjera që ka ky person që është në fokus të këtij procesi edhe enturazhi i tij. Sepse po dëgjojmë tani se dhe personat rreth tij janë vënë në hetim për pastrim parash. Pra është marrë seriozisht. Drejtësia nuk po merret në përballje me Metën vetëm si person apo familjarët e tij, por në fakt me të gjithë establishmentin e tij politik, që në fakt për mua është një organizatë kriminale. Do të vazhdojnë të jenë ligjërisht si parti politike apo do të ndjekin apo do të shkrihen dhe pastaj persona përgjegjës do të përgjigjen para ligjit, ai anëtarë të një organizate kriminale. Kanë përdorur organizimin e tyre dhe kanë lëvruar në fushën e krimit kaq egër, por më hipokritja dhe e pa pranueshmja është se kanë bërë në emër të ligjit dhe të drejtësisë. Kanë kapur organet ligjvënëse e ligj zbatuese dhe po na vënë ne si popullsi në pozita të tilla që na vejnë të gjitha organizatat kriminale, por ato mund të jenë ilegale, këto janë kryer dhe në legale e shfrytëzojnë edhe ligjin në favor të paligjshmërisë së tyre.
-Mendoni që kjo ka qenë një makineri e madhe e korrupsionit?
Mendoj që kjo është e madhe dhe se të treja partitë kanë vend që pjesët e mëdhaja të dalin si organizata kriminale. Duhet të hetohen si organizata të mëdha kriminale pasi kanë përdorur aksesin që kanë patur për të qenë ligjvënës apo ligjzbatues. Mund të kemi edhe ligje që kanë dalë në konflikte interesi dhe mendoj se një nga format e diskutimit duhet të ishte sesi të ndaloheshin konfliktet e interesit por njëkohësisht nuk mund të ndalohet ajo pikë fillestare e korrupsionit, pa ndaluar prokurimi dhe operimi me firmat offshore. Të zbardhen të gjitha firmat offshore, mundësisht Shqipëria që është zhytur në korrupsion, duhet të mos lejojë që qeveritarët e thjeshtë të operojnë në treg me offshore pasi ne nuk e dimë se çfarë parash janë. Mund të jenë para korrupsioni, terrorizmi dhe krimi e trafiqesh. Mendoj që kanë dalë akte ligjore dhe nën ligjore ku kanë qenë vetë ministrja apo një grup deputetësh që kanë strukturuar firmat offshore duke bërë ligje në interesa të tyre duke dëmtuar rëndë jo vetëm tregun por edhe arkën e shtetit. Këtu ka shumë punë, jo partitë si subjekte, si entitete por është një pjesë e tyre që mund të ketë të drejtë që ta përmend korrupsionin. Kam parë në ekrane njerëz që mund të kenë peshuar paratë se kanë përtuar t’i numërojnë e tani po na flasin për korrupsionin.
Po. Dikë prej tyre do e pyesja, sa peshojnë 2 milion e 400 mijë euro në prerje 500-she. Ai person e di shumë mirë.
-Ju e dini që një nga politikanët peshonte dhe paratë me peshore?
Po, po. Ka iniciuar edhe ligje të cilat kanë qenë në konflikt interesi dhe mendoj se është një nga personat i cili ka operuar në kompani offshore.
-Në opozitë apo në qeveri avokat?
Ish-anëtar qeverie. Mendoj që vetë ky lloj procesi po zhvillohet ashtu si duhet. Do të sjelli mbase dhe një katarsis te të gjitha forcat politik. Kush e përballon, do të mbijetojë duke lënë një pjesë të llumit të saj mbrapa, kush nuk e përballon mund të dal dhe jashtë ligji si forcë politike, këtë shoh.
-Ndërkohë në Parlament u fol për një rezolutë anti-korrupsion, janë të nevojshme këto përpara punës së SPAK-ut e cila ka qenë goxha voluminoze?
Nuk bëhet fjalë vetëm për punën e SPAK-ut, ajo është një nga temat kryesorë në Shqipëri, mbase dhe detyrë e Europës e të aleatëve të tjerë për këtë moment në Shqipëri. Bëhet fjalë për rreth 33 fusha të ndryshme, të cilat janë analizuar në procesin analitik të ‘Screening Proces’, ku kemi bërë aplikimin siç bëhet çdo aplikim për punë, ka dhe një aplikim për anëtarësim të Shqipërisë, për të adaptuar dhe për të zbatuar dhe inkasuar dhe përmbushur kriteret e Kopenhagen-it, në fushën politike, administrative dhe sociale.
Janë disa detyra, pra ka një shpresë dhe e them i sigurtë se ka një mikpritje të përshpejtuar nga Europa për ta pranuar të gjithë Ballkanin në Europë për arsye gjeopolitike, lidhur me destabilitetin në të gjitha fushat, e duke u zbatuar kriteret në mënyrë të përshpejtuar të cilat do të shihen e do realizohen pikë për pikë edhe nga ata që na ftojnë ne, e na mbikëqyrin ne. Nuk do të ketë siç mendojnë pala politike, bëjnë dhe retorikën politike e deri diku edhe abuzive, nuk besoj se do të marrin guximin që të marrin masa të tilla që të prekin ndarjen e pushteteve që është një nga fushat kryesore. E në këtë pikë, do të kthehet dhe në një lloj referendumi ku qytetarët do të duhet të bëhen të vetëdijshëm që po hyjnë në një komunitet, do të hyjnë me rregulla të caktuara me rritje kapacitetesh vendimmarrje edhe me atë korrektësinë që Europa ka punuar në fushën e gjyqësorit, do të aplikohet zbatimi i legjislacionit europian. Por ajo çfarë është e veçanta do të zërë vend në këtë legjislacion dhe vendimet e Gjykatës Europiane. Në këtë pikë mendoj se do të kemi punë dhe me anën e arsimit dhe te persona të cilët merren me përgatitjen e juristëve të ardhëm. Do të kemi një shkundje të gjithë legjislacionit shqiptar në të gjitha fushat. Do të shihet ndërtimi i një tregu për të patur kapacitete ekonomike e nga ana tjetër do të kemi bërjen të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm të gjithë popullsisë që të njohin të drejtat por dhe detyrat e tyre.
-Le të rikthehemi dhe njëherë tek drejtësia. Çfarë po ndodh me dosjet e bujshme të SPAK, është folur për kallëzime të shumta mbi Metën, për çështjen e Berishës, për goditjen e korrupsionit në qeveri e megjithatë shihet se ka dhe vonesa në punën e SPAK-u. Këtë duhet ta marrim si një punë normale të procesit për të kopsitur dosjet apo duhet të ketë një nxitje për më shumë?
Pika jonë kryesore është që në të heqim dorë nga toleromi i të bërit korrupsionit, e kemi kthyer në mjet jetese dhe duhet të hyjmë në Europë me kushtin kryesor duke bërë që ne të largojmë këtë të keqe që është armiku i sigurtë i ish-bërjes së një sistemi demokratik. Pjesa e administratës është prekur, është politizuar dhe është shpërdoruar në mënyrë të tejskajshme dhe fillon që nga punësimet. Aty është hapi i parë i korrupsionit, punësimet e paligjshme dhe konflikti i interesit që nuk shmanget. Nuk janë zbatuar kriteret e punësimit të njerëzve të cilët ua dinë për nder personave që i kanë punësuar dhe vijnë atje si persona që i përkasin një personi tjetër, pa dijeninë e duhur dhe kanë urdhrin e tij përmbi ligjin për interesa të tij dhe të atyre. Kanë ardhur për përfitim, për një kohë të shkurtër dhe gjithmonë lënë një gropë mbi një gropë tjetër. SPAK-u nga ana tjetër duke ecur me punën po sheh disa prova të tjera ku në disa vende ka kaluar afati i parashkrimit për ca vepra ndërsa për disa të tjera është më i gjatë afati i parashkrimit për pastrimin e produkteve të veprës penale. Të listohen të gjithë personat të cilët kanë hyrë në pushtet me duar në xhepa dhe kanë dalë biznesmen apo të afërmit të tyre në rreth miqësor apo qofshi dhe krushqi.
Hapi i parë që u bë dhe kjo do të vazhdojë pasi është serioze, është që u godit në një mënyrë strategjike, të zgjedhur, shumë të mirë menduar krimi kundër dhunës, krimi kundër jetës, falanga e madhe e krimit që ishte enturazh i korrupsionit politik. Kjo gjë pasi të kompletohet pasi do të ketë dhe një apo dy hapa të tjerë, një numër dhe më i lartë se 50-shja e parë, atëherë do të kemi një goditje të sigurtë të korrupsionit politik. Këto janë hapa që vijnë në mënyrë organike, edhe logjike por janë të menduara mirë. Duke parë kërcimin, që i bëhej në mënyrë publike dhe jo publike organeve të drejtësisë, ata kanë menduar mirë që bazat e një kërcënimi janë këto falanga por mendoj që kemi akoma punë. Të bëhet sekuestrimi i pasurive të tyre, ato janë armë shumë e fortë të një qëndrese që i bën korrupsioni të vendosjes në përballje të drejtësisë. Do të shkojmë patjetër te politika, por kur të kemi hequr mbrojtjen që jep krimi dhe një krim jo shumë i zakonshëm. Por mbase mund të jetë i vetmi në Europë në llojin e tij. SPAK-u po ecën, lajmi me 50 të arrestuar apo disa në kërkim, është lajm i rëndësishëm se nuk është më diçka simbolike por është realisht goditje në shenjë dhe realisht me ndikim afat gjatë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./ Gazeta Sot
Lini një Përgjigje