
Reshje dëbore kanë përfshirë juglindjen e vendit, edhe pse ndodhemi zyrtarisht në stinën e pranverës. Bora është shfaqur kryesisht në zonat mbi 1100–1200 metra lartësi, veçanërisht në rrethinat e Pogradecit.
Sipas raportimeve, reshjet kanë nisur në orët e para të mëngjesit me intensitet të ulët deri në mesatar, duke krijuar shtresa të lehta dëbore në disa segmente rrugore.
Situata ka angazhuar strukturat përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat kanë ndërhyrë për pastrimin e akseve kryesore, sidomos në zonat ku prania e dëborës ka qenë më e dendur.
Vështirësitë më të dukshme janë konstatuar në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në zonën e Qafë Thanës, ku gjatë natës është krijuar një shtresë më e konsiderueshme dëbore. Megjithatë, temperaturat relativisht të larta për këtë periudhë kanë ndikuar në shkrirjen graduale të saj, duke e kufizuar praninë kryesisht në lartësitë malore.
Reshje dëbore janë regjistruar gjithashtu në disa destinacione turistike si Dardha, Voskopoja dhe Boboshtica, si dhe në qytetet Leskovik dhe Ersekë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, për shkak të lagështirës në rrugë dhe pranisë së dëborës në segmente të caktuara. Aktualisht, të gjitha akset rrugore raportohen të kalueshme dhe nuk ka probleme serioze në qarkullim.
Lini një Përgjigje