
Mesditën e sotme, qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu.
Moti u përkeqësua në qytetin e Elbasanit, Librazhd dhe fshatrat e qarkut të Elbasanit që solli vështirësi në lëvizjen e qytetarëve në aktivitetet e tyre, konkretisht nga ora 14:00-15:00 kur intensiteti i reshje ishte mjaft i dendur.
Në zonat e thella malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh por edhe Elbasan kanë filluar reshjet e dëborës por me trashësi të papërfillshme për momentin.
Temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme këtë fundjavë duke shtuar vështirësitë për ata që jetojnë në këto zona dhe duke krijuar një situatë të vështirë për lëvizjen normale në zonat rurale dhe duke u bërë pengesë në realizimin e aktiviteteve në natyrë.
Megjithatë, Emergjencat Civile të bashkive Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Cërrik, Peqin dhe Belsh raportojnë se nga moti i keq nuk janë shkaktuar probleme serioze për jetën e qytetarëve dhe situata është duke u mbajtur nën kontroll.
Autoritetet kanë vepruar menjëherë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të evituar ndonjë rrezik të mundshëm. Ndërkaq nga mbizotërimi i motit me reshje ka pasur rënie inertesh në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas, veçanërisht në vendet e quajtura “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku nga lartësitë e kodrave kanë rënë gurë si edhe ka pasur rrëshqitje masivesh me dhera.
Megjithatë, fatmirësisht nuk ka pasur incidente dhe situata është menaxhuar mjaft mirë. Autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme për pastrimin e rrugëve dhe për garantimin e sigurisë në këto zona.
Lini një Përgjigje