TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2024, 15:06

Rëndohet pozita e Jorgo Goros, GJKKO i komunikon një tjetër masë sigurie

Shkruar nga Pamfleti

Rëndohet pozita e Jorgo Goros, GJKKO i komunikon një tjetër

GJKKO ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për ish-Kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.

Vendimi është marrë me kërkesë të SPAK. Aktualisht, Jorgo Goro po vuan dënimin në burg pasi akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas SPAK, Goro në cilësinë e kryetarit të bashkisë në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Goro ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Kujtojmë që, Goro drejtoi bashkinë për 3 mandate dhe vazhdoi të mbajë këtë post për 10 muajt e fundit pas humbjes në zgjedhjet vendore të 14 majit nga Fredi Beleri, pasi ky i fundit u arrestua për blerje votash. Hetimi ndaj Goros kulmoi në vjeshtë, kur përveç tij u thirr në pyetje edhe “investitori strategjik” Artan Gaci, bashkëshorti i ish-ministres socialiste Olta Xhaçka. Megjithatë, hetimi i SPAK-ut ngriti pikëpyetje për veprimet e Goros dhe të dyshuarve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në falsifikimin e dokumenteve në kundërshtim me ligjin.

Krahas kësaj padie, SPAK i është referuar edhe raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka evidentuar dyshime për shkeljen e barazisë në tendera por edhe me investime të caktuara në bregdetin e Himarës, gjatë kohës kur Goro ishte kryetar bashkie. Gjetja më e rëndësishme e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka të bëjë me ndërtimin e një resorti në këtë zonë dhe procedurat se si janë dhënë lejet e ndërtimit në zonën bregdetare të Himarës.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguar për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.

Nisur sa më sipër, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim J. G. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Himarë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 67 datë 03.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në datën 04.07.2024, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit Jorgo Goro. Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës penale.

Lini një Përgjigje