Nga verifikimet rezulton se mungojnë të ardhura në vlerën 82 milionë lekë për shkak të mosregjistrimit të plotë të detyrimeve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar probleme në administrimin e të ardhurave vendore në Bashkinë Elbasan, duke vënë në dyshim efektivitetin e mbledhjes së tyre dhe saktësinë e pasqyrave financiare.
Sipas auditimit, llogaria 468 “Debitorë të ndryshëm” ka shënuar rritje gjatë vitit 2024.
Nga 1.17 miliardë lekë në fillim të vitit, ajo ka arritur në 1.2 miliardë lekë në fund të tij, me një shtesë rreth 25 milionë lekë. Ky ndryshim lidhet kryesisht me zgjerimin e detyrimeve të papaguara për taksa dhe tarifa vendore nga vetë bashkia dhe strukturat në varësi të saj.
Audituesit vlerësojnë se kjo situatë pasqyron mungesë të veprimeve konkrete nga drejtimi vendor për të ulur borxhet dhe për të rritur nivelin e arkëtimeve. Përtej kësaj, llogaria në fjalë nuk reflekton gjendjen reale financiare, pasi një pjesë e konsiderueshme e debitorëve nuk është regjistruar në sistem.
Nga verifikimet rezulton se mungojnë të ardhura në vlerën 82 milionë lekë për shkak të mosregjistrimit të plotë të detyrimeve. Kjo krijon rrezik që bashkia të humbasë të drejtën për t’i kërkuar këto detyrime në të ardhmen. Situata lidhet edhe me mungesë bashkëpunimi mes strukturave përgjegjëse, pasi nuk ka përputhje të plotë mes Drejtorisë së të Ardhurave, Lejeve dhe Licencave dhe Drejtorisë së Financës dhe Buxhetit. Kjo dobëson kontrollin dhe gjurmueshmërinë e detyrimeve.
Në analizën e detajuar, auditimi evidenton disa kategori detyrimesh që nuk janë përfshirë në kontabilitet. Mes tyre janë gjobat e vendosura nga IMTV në vlerën 72,474,712 lekë. Nga kjo shumë, vetëm 19,818,157 lekë janë trajtuar përmes procedurave të faljes sipas vendimeve në fuqi, ndërsa për 21 subjekte mbeten të paregjistruara detyrime në vlerën 52,656,555 lekë.
Po ashtu, nuk janë pasqyruar plotësisht detyrimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arrijnë në 17,714,436 lekë. Një tjetër kategori janë kontratat e qirasë për fondin pyjor dhe kullosor, me një vlerë totale prej 12,368,615 lekësh, të shpërndara në disa subjekte private.
Në përfundim, KLSH kërkon nga Drejtoria e Buxhetit dhe Financës që të reflektojë të gjitha detyrimet në llogarinë 468, duke përfshirë debitorët e papasqyruar nga qiratë, gjobat dhe taksat përkatëse. Qëllimi është korrigjimi i pasqyrave financiare për vitin 2025.
Njëkohësisht, institucioni i auditimit i kërkon kryetarit të bashkisë të nisë procedura disiplinore për punonjësit përgjegjës dhe të vendosë masa për të shmangur përsëritjen e shkeljeve.
Lini një Përgjigje