
Një protestë, shumë ndarje: protesta për UÇK më shumë shton ndasitë sesa afron Kosovën me Shqipërinë...
Qindra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në një protestë të organizuar në mbështetje të luftëtarëve të UÇK që ndodhen në Hagë.
Me flamuj, simbole të UÇK dhe uniforma ushtarake, protestuesit janë mbledhur në Sheshin Skënderbej, duke shkaktuar një kaos total në qarkullimin rrugor të kryeqytetit.

Ajo që fillimisht u paraqit si një nismë qytetare dhe jopolitike për të përkrahur figurat çlirimtare, ka marrë trajtën e një operacioni politik me prapavijë të qartë. Protesta u bë masive vetëm pasi u promovua publikisht nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili fillimisht u përfol se do të merrte pjesë personalisht, por u tërhoq në moment të fundit. Ndërkohë, Albin Kurti e refuzoi kategorikisht ftesën për pjesëmarrje, gjë që e ekspozoi menjëherë ndaj sulmeve politike.
Lëvizja e Ramës shihet nga analistët si një përpjekje për të përçarë politikisht Kosovën dhe për të dëmtuar imazhin e Kurtit në një moment delikat për të; në prag të zgjedhjeve vendore dhe në mes të tensioneve me diplomacinë amerikane. Sipas burimeve nga Kosova, një pjesë e klasës politike atje e konsideron këtë protestë si “manovër politike e Tiranës” për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet e brendshme të Prishtinës.
Në mënyrë të pazakontë, qeveria shqiptare vendosi edhe heqjen e përkohshme të tarifës së Rrugës së Kombit, një vendim i lidhur drejtpërdrejt me mundësimin e pjesëmarrjes masive nga Kosova. Ky gjest është lexuar nga kundërshtarët politikë si konfirmim se protesta u mbështet dhe u nxit institucionalisht.
Ndërkohë, për qytetarët e Tiranës kjo ditë u kthye në makth. Rrugët kryesore u bllokuan që në mëngjes, trafiku u paralizua, dhe një pjesë e mirë e qytetarëve nuk arritën në kohë në punë apo shkolla. Kaos që do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës për shkak të Maratonës së Tiranës që pritet të mbyllë sërish disa akse qendrore.
Po ashtu kjo protestë krijoi ndasi dhe në Tiranë. PD e refuzoi me argumentin se e organizon Edi Rama. Po ashtu dhe shumë parti të tjera.
Në vend që të përçonte unitet dhe mbështetje për çështjen e Hagës, protesta e sotme duket se ka sjellë më shumë ndasi, tensione politike dhe ka hapur një kapitull të ri përplasjesh mes Tiranës dhe Prishtinës. Mbetet për t’u parë nëse ky ishte thjesht një akt simbolik patriotik, apo një lëvizje e kalkuluar politike nga një Kryeministër që po kërkon ndikim përtej kufirit.
Lini një Përgjigje