
Pas disa orësh në luftë me flakët, është vënë nën kontroll zjarri në fshatin Valas të Elbasanit.
Ekipet e zjarrfikësve kanë mundur që të shuajnë flakët, ndërkohë që vijojnë të qëndrojnë në terren, për shuarjen e plotë të të gjitha vatrave.
Zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe kodre me ullinj, që prej orëve të pasdites së sotme.
10 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 punonjës, efektivë zjarrfikës, emergjencat civile, punonjës të shërbimeve publike dhe banorë të zonës kanë punuar për të bërë të mundur fikjen e zjarrit. Terreni i vështirë dhe era e fortë vështirësuan punën e ekipeve zjarrfikëse, ndërsa raportohet se janë rreth 5 hektarë kodra me pemë frutore, kryesisht ullishte të përfshira nga flakët.
Në terren ka qenë edhe kryetari i bashkisë Gledjan Llatja. Llatja falenderoi të gjitha strukturat të cilat u përgjigjën në kohë rekord si: Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikëseve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Prefektura e Elbasanit, Forcat e Ushtrisë dhe Bashkitë Cërrik, Tiranë, Kamëz, Rrogozhinë, Belsh, Gramsh, Librazhd e Prrenjas.
Koordinimi i mirë i situatës bëri të mundur që zjarri të mos prekë banesat, stacionet e depove të ujit të Bashkisë Cërrik dhe nënstacionin elektrik të Bashkisë Cërrik.
Lini një Përgjigje