
Po mbahet sot në Gjykatën e Fierit masa e sigurisë ndaj adoleshentit me inicialet B.D., i cili mëngjesin e ditës së premte (13 Dhjetor), në ambientet e brendshme të shkollës, goditi 4 herë me mjet prerës shokun e klasës në gjimnazin “Mustafa Hoxha”, në Cakran, pas një konflikti të çastit.
Makinat e policisë dhe togës së shoqërimit u panë sot (16 Dhjetor) teksa i afroheshin godinës, ndërsa masa pritet me dyer të mbyllura, edhe për shkak të moshës së të dyshuarit.
Nxënësi i mitur ra në prangat e policisë menjëherë pas ngjarjes ndërsa dy ditë më parë është arrestuar nga blutë e Fierit , dhe mbi të rëndon akuza “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Autori i dyshuar del para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja e gatshme për të mitur Klodiana Kryeziu, dhe Prokurore Oliana Gjergjefi, e cila ishte e pranishme në shkollë edhe ditën e ngjarjes dhe në deklaratën për media ka pohuar se ngjarja është shumë e rëndë, por ka garantuar hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
Ndërkohë 17-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk dihet nëse ky detaj do të merret në konsideratë nga togat e zeza.
Sipas dëshmisë së të plagosurit, konflikti ka nisur një muaj më parë, pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale, ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik.
Lini një Përgjigje