TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Nëntor 2025, 13:04

Pezullimi i Ballukut në Kushtetuese, Gjykata vendos javën e ardhshme

Shkruar nga Pamfleti

Pezullimi i Ballukut në Kushtetuese, Gjykata vendos javën e ardhshme

Kolegji Penal i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet javën e ardhshme për të marrë një vendim lidhur me Belinda Ballukun.

Në këtë mënyrë, Kolegji do të përcaktojë nëse vendimi i marrë nga GJKKO, për pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare, pas kërkesës së SPAK, është ose jo në përputhje me Kushtetutën. Relatori i çështjes është Sandër Beci.

SPAK kërkoi pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare (si ministre e Infrastrukturës dhe zv.Kryeministre) pasi iu komunikua akuzat dhe u mor e pandehur lidhur me Tunelin e Llogarasë.

Pas vendimit të GJKKO-së, Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si anti-Kushtetues dhe ndërhyrje të një pushteti ndaj një tjetër pushteti.

Në ankimimin e bërë për këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri e motivon konstatimin e tij me faktin se vendimi “cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili, sipas pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, gëzon imunitetin e deputetit”.

Sipas arsyetimit, “kjo dispozitë kushtetuese i ka njohur ministrit të njëjtat garanci, përfshirë edhe ato procedurale që ka edhe deputeti, garanci të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e vetë ministrit dhe të Këshillit të Ministrave, si organi më i lartë ekzekutiv kushtetues, i pavarur”. Për këtë arsye, sipas ankimimit, “në rast se nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, nuk mund të vendoset ky pezullim as për anëtarin e Këshillit të Ministrave, sepse në të kundërt do të pezullohej vetë veprimtaria shtetërore e ekzekutivit që ai drejton”.

Në vendimin e saj, GJKKO-ja i referohet nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon pezullimin e ushtrimit të një detyre. Pika 2 e tij përcakton se “kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”. Dhe sipas Gjykatës, të drejtat e Ballukut si deputete nuk cenohen.

Por sipas qeverisë, “përderisa neni 103 i Kushtetutës garanton barazinë e dy subjekteve në të drejta kushtetuese, aq më tepër nuk mund të vihet në dyshim barazia në të drejta ligjore në lidhje me ushtrimin e funksioneve. Ky paragraf, ashtu siç ndalon pezullimin nga detyra të ‘të zgjedhurve’, ashtu ndalon edhe pezullimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave”.

Sipas Qeverisë, “imuniteti, duke u konsideruar se nuk është një garanci personale, por një mjet kushtetues për të siguruar funksionimin normal, nënkupton kryerjen e detyrës në mënyrë të pacenueshme. Duke qenë se Kushtetuta ‘e barazon’ anëtarin e Këshillit të Ministrave me deputetin, atëherë edhe ushtrimi i detyrës së ministrit është i pacenueshëm”.

Për pasojë, sipas qeverisë, GJKKO-ja ka bërë “jo vetëm interpretim të gabuar të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale”, por, si rrjedhojë, është “edhe në shkelje të garancisë kushtetuese të pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, që parashikon se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit”.

Në ankimimin e Kryeministrit vihet në dukje se vendimi i Gjykatës së Posaçme për Ballukun “cenon parimin e ndarjes së pushteteve, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër, dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave”, si dhe “ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese, që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë”.

 

Lini një Përgjigje