
Vala e nxehtë Cerberus, e shtrirë në Europën Jugore, ka përfshirë prej dy javësh edhe Shqipërinë. Ajo arriti kulmin e saj ditën e djeshme kur temperaturat shkuan në 43 – 44 gradë Celsius duke shkaktuar vatra të reja zjarri.
Disa vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha toke në qytete të ndryshme. Masivet pyjore të Peshtanit dhe Kreshpanit në Fier edhe ditën e sotme vijon të jetë në pushtetin e flakëve.
Një vatër e cila ka qëndruar aktive përgjatë natës ka marrë përhapje më të gjerë duke rrezikuar edhe banesat në Kraps por u situata u neutralizua shpejt nga zjarrfikësit. Në zonë ndodhen 6 mjete zjarrfikëse, 80 forca ushtrie dhe në ndihmë të tyre është edhe një helikopter.
Banorët shprehen se ndihen të rrezikuar për shtëpitë apo bagëtitë e tyre dhe kërkojnë ndërhyrje nga ajri pasi rrezikohet i gjithë fshati.
“Kemi shumë të rrezikuar, jashtë mase. Ça të themi ne, e shkoni edhe vetë. Po afrohet zjarri te shtëpitë. Zjarri mund të fiket me ndihmat tuaja me ndihmat e shtetit. Nuk kemi çfarë bëjmë ne, ne po mundohemi”, tha një banore e fshatit.
Një zjarr me përmasa të mëdha u aktivizua mesditën e së hënës në fshatin Shtyllas të Fierit, duke vënë në rrezik një pjesë të banesave që ndodheshin përreth.
Zjarret kanë përfshirë disa qytete të Shqipërisë si: Berati, Kukësi, Vlora, Fieri, Kruja dhe Gjirokastra.
Gjatë 24 orëve të fundit në rrethin e Krujës janë aktivizuar disa vatra zjarri që kanë rrezikuar banesat e bizneset.
Mësohet se në lagjen Zimzenel të qytetit të Krujës iu është vendosur zjarri mbeturinave nga disa qytetarë dhe flakët kanë rrezikuar një fasoneri dhe një impiant përpunimi të drurit.
Ndërkohë një tjetër zjarr ka djegur një magazinë me ushqim për bagëtitë në fshatin Kurrcaj të njësisë administrative Nikël.
Ndërsa mbrëmjen e djeshme një zjarr është shfaqur në fshatin Rroshnik në Berat. Zjarri ka përparuar drejt ullishteve të kësaj zone, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Një vatër zjarri është shfaqur në malin e Gjallicës gjatë pasdites së djeshme. Zjarri ka rënë në lartësinë 2100 metra çka e vështirëson ndërhyrjen. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej 5 hektarë me pisha të larta halore. Mali i Gjallicës është pjesë e zonës së mbrojtur natyrore të Parkut Kombëtar Korab-Koretnik-Kallabak.
Në zonën e grumbullimit të mbetjeve në Vlorë vijon të ketë vatra aktive zjarri në sipërfaqe mjaft të mëdha. Ndonëse nuk ka përmasat e ditës së parë, zona vijon të jetë e përfshirë nga flakët. Sidoqoftë situata është përmirësuar ndërsa tymi vijon të mbulojë zonën.
Lini një Përgjigje