TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Korrik 2023, 19:11

Përfundon votimi në zgjedhjet e pjesshme të Rrogozhinës, pjesëmarrja më e lartë se në 14 maj; pritet të nisë procesi i numërimit

Shkruar nga Pamfleti

Përfundon votimi në zgjedhjet e pjesshme të Rrogozhinës,

Është mbyllur procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme të Rrogozhinës. Të gjitha qendrat e votimeve janë mbyllur rreth orës 19:00 ashtu siç ishte parashikuar.

Tani më pritet që të nisë procesi i numërimit për të parë se kë kanë zgjedhur rrogozhinasit si kreun e ri të bashkisë, Edison Memollajn e Partisë Socialiste apo Shkëlqim Hoxhën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Pavarësisht vapës dhe temperaturave të larta, qytetarët e Rrogozhinës kanë dalë të votojnë për kryebashkiakun e tyre të ardhshëm. Kjo vihet re edhe tek pjesëmarrja e cila ka qenë më e lartë se zgjedhjet e 14 majit. Ditën e sotme raportohet se kanë votuar mbi 33 për qind, ndërkohë që më 14 maj në total votuan 32.02%.

Procesi në përgjithësi ka qen i qetë, po në disa qendra votimi është shoqëruar edhe me incidente dhe tensione të vogla. Kjo pasi një çift bashkëshortësh fotografuan votën në qendrën e votimit 22-23, ç’ka çoi më pas edhe në ndërprerjen e procesit për disa minuta.

Për këtë incident reagoi menjëherë edhe Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili tha se shqetësim mbetet edhe votimi familjar.

Fotografimi i votës përbën një shkelje të rëndë të ligjit penal, ka sanksione dënimi që shkojnë deri në 3 vjet. U bëj thirrje të gjithë votuesve që t’i shmangen çdo lloj joshje nga subjektet për t’u treguar atyre se për kë kanë votuar. Ata rrezikojnë shumë në këtë rast. Votimi familjar gjithashtu përbën shkelje. Ky është një problem, sa të kemi mundësi do ta adresojmë”, u shpreh ai.

Pse u përsëritën zgjedhjet në Rrogozhinë

Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e KAS për njohjen e tyre. Koalicioni opozitar dhe kandidati Shkëlqim Hoxha, kontestuan një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit të PS-së Edison Memolla. Në kutinë e burgut, e cila u numërua e fundit, nga 92 vota, 80 ishin në favor të Memollës.

Kolegji, ndryshe nga KAS, konkludoi se qendra e votimit e ngritur në burg ishte e paligjshme dhe se KQZ nuk bëri verifikimet nëse ajo plotësonte kushtet ligjore. Pretendimet e opozitës se në këtë qendër ishin lejuar të votonin të burgosur që nuk e kishin të drejtën ligjore për ta bërë këtë, pasi ishin transferuar në këtë burg pasi ishte shpallur lista e zgjedhësve, i gjetën të mbështetura në prova.

Por sot të burgosurit nuk do të votojnë! Në KQZ mbërriti një kërkesë nga burgjet për votimin e 89 të burgosurve që gëzojnë të drejtën e votës në institucionin e burgut “Kosova”, por afatet nuk premtuan, e përsa kohë nuk kishte një vendim nga Bashkia e KZAZ-ja, në burg nuk u ngrit një qendër votimi bazuar mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor./Pamfleti

rrogozhinë përfundon votimi

Lini një Përgjigje