Agjencia që menaxhon 70% të tenderëve publikë nën hijen e akuzave për mungesë gare, fonde limit të fryra dhe fitues të paracaktuar...
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i krijuar me vendim të kryeministrit Edi Rama dhe që zhvillon rreth 70 për qind të prokurimeve të institucioneve publike, është kthyer në një nga strukturat më të kontestuara të sistemit të tenderimeve.
Sidomos në dy vitet e fundit, pas kalimit të këtij operatori nga Ministria e Brendshme në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, janë shtuar denoncimet për mungesë gare dhe për favorizim të kompanive të caktuara.
Në krye të këtij institucioni u emërua Arlinda Pogaj, bashkëpunëtore e afërt e Blendi Gonxhes në disa poste të mëparshme në Bashkinë e Tiranës, Agjencinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor. Aktualisht ajo drejton Operatorin e Blerjeve të Përqendruara nën vartësinë formale të Ministres së Ekonomisë.
Sipas raportimeve mediatike dhe ankesave të bizneseve, një pjesë e konsiderueshme e procedurave janë zhvilluar me një pjesëmarrës të vetëm, me kontrata që arrijnë 97 deri 100 për qind të fondit limit dhe me fonde limit të përcaktuara mbi çmimet e tregut.
Shumë prej këtyre tenderëve janë denoncuar në SPAK nga kompani pjesëmarrëse, të cilat pretendojnë se janë përballur me kritere të papërshtatshme dhe skualifikime të pajustifikuara.
Në këtë klimë akuzash, drejtuesja e operatorit organizoi një forum me temë “Nxitja e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit”, ku u diskutua për transparencë dhe konkurrencë.
Sipas saj, në 1000 procedura për 216 institucione publike janë kursyer 35.5 milionë euro nga kontratat me oferta më të ulëta. Megjithatë, raportet e auditimit nga KLSH dhe Ministria e Financave kanë evidentuar raste ku fondet limit janë përcaktuar mbi vlerën reale të tregut dhe ku mungesa e konkurrencës ka kufizuar kursimet e mundshme.
Ankesat e kompanive të skualifikuara dhe auditimet zyrtare kanë ngritur pikëpyetje mbi standardet e prokurimit dhe mbi ndikimin e strukturave politike në proces.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara mbetet sot një nga nyjet kryesore të administrimit të fondeve publike, ndërsa akuzat për klientelizëm dhe mungesë gare kërkojnë hetim të plotë institucional dhe transparencë të plotë mbi procedurat e zhvilluara./Pamfleti
Super! Nëse do të mësosh diçka, duhet ta mësosh nga "mjeshtri" i diçkaje. Kjo është logjike sepse ata e dinë artin e saj.
Si behet politika në Shqipëria? Ashtu siç duanë armiqët e saj.
Nuk di se si mund te quhet Kjo lloje nenqeshje fallco qe i behet Publikut,madje vidhet edhe jepet mende.