TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Dhjetor 2024, 15:23

Pëllumb Gjoka kërkon pavlefshmëri të përgjimeve të “SkyEcc”, Gjykata Kushtetuese tërhiqet për të marrë vendimin!

Shkruar nga Pamfleti

Pëllumb Gjoka kërkon pavlefshmëri të përgjimeve të

Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar këtë të enjte seancën për të përcaktuar përfundimisht nëse aktet e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC” për llogari të hetimeve nga SPAK, duhen konsideruar të ligjshme ose jo.

Çështja e përgjimeve të “SKY Ecc”, u ngrit nga Pëllumb Gjoka, i cili në bazë të këtyre përgjimeve u fut në burg me vendim të GJKKO-së. 

Pas paraqitjes së argumenteve dhe provave nga palët, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi çështjen dhe u tërhoq për të marrë vendimin, i cili pritet të t’iu dorëzohet palëve brenda afateve të përcaktuar nga ligji.

Të gjithë të akuzuarit nga përgjimet e Sky, kanë kërkuar që provat e gjetura në atë aplikacion të mos merren për bazë, pasi sipas tyre nuk janë marrë në mënyrë ligjore. Pranimi i kërkesë së Pëllumb Gjokës nga Kushtetuesja, do të sillte një kaos të vërtetë pasi do zhbënte vendimet për shumë kriminelë të akuzuar në bazë të indiceve të gjetura në SKY Ecc.

Njoftimi i plotë i Kushtetueses:

Në datën 19.12.2024 Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën gjyqësore të çështjes me kërkues Pëllumb Gjoka dhe objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.

Shfuqizimi i shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Gjykata shqyrtoi ankimin kushtetues individual, kërkesat dhe aktet e tjera të paraqitura nga kërkuesi, prapësimet e subjekteve të interesuara dhe aktet e paraqitura prej tyre dhe pasi administroi të gjitha provat e paraqitura nga palët, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit. Vendimi do t’u komunikohet palëve sipas rregullave dhe afateve ligjore.

Lini një Përgjigje