
Përfaqesues të ambasadës së SHBA-së janë paraqitur në Gjykatën Penale të Tiranës për të ndjekur procesin gjyqësor në ngarkim të Ermes Hoxhollit.
20-vjeçari akuzohet se mashtronte institucionet arsimore me projektet “Let’s Talk Together about US”, duke u premtuar nxënësve e mësuesve udhëtime falas në SHBA.
Ermes Hoxhalli kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë.
I riu mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë raportohet se pjesë në këto programe mashtruese.
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj tij dhe dërgoi në gjyq të riun më 20 Nëntor.
“Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1819, datë 11.03.2024, rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri”, thuhej në njoftim.
Ermes Hoxhalli akuzohet se duke pretenduar se udhëhiqte një projekt për të rinjtë nën logon, “Let’s talk together aboutUS’23 dhe 24” ai lëshoi edhe 19 çertifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë me temë “Projekti Let’s talk together about US’23”.
Dokumentat e falsifikuara si çertifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot iu gjetën në laptonin e tij dhe aparatët celularë.
Ndaj tij u ngritën akuzat për veprat penale “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.
Lini një Përgjigje