
Ambasada bëri të ditur se takimi u zhvillua edhe në vijim të vizitës së fundit të Dumanit në Uashington
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë sot një mesazh të qartë mbështetjeje për SPAK dhe BKH, duke theksuar se partneriteti mes institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe agjencive amerikane mbetet thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn zhvilloi një takim me Kryeprokurorin e Posaçëm, Altin Dumani, ku u diskutua mbi sfidat e hetimeve që po zhvillon SPAK dhe mbi mënyrat se si bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA, mund të forcojë rezultatet konkrete. Në fokus ishin çështjet që lidhen me goditjen e organizatave kriminale transnacionale, luftën kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës.
Ambasada bëri të ditur se takimi u zhvillua edhe në vijim të vizitës së fundit të Dumanit në Uashington, ku ai u prit nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK, Altin Dumani, u takuan sot për të diskutuar punën e guximshme të SPAK dhe BKH në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe trafikun e drogës. Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi takimet e fundit të Z. Dumani në Uashington me zyrtarë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”, njofton ambasada.
Ky qëndrim vjen në një moment kur SPAK po zhvillon hetime të ndjeshme ndaj zyrtarëve të lartë dhe rrjeteve kriminale në vend, ndërkohë që presioni i opinionit publik mbi drejtësinë është rritur. Mesazhi i SHBA-së shihet si një sinjal i fortë politik dhe diplomatik, që synon të forcojë besimin te institucionet e reja të drejtësisë dhe të tregojë se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas.
Lini një Përgjigje