
Duket se, Bektashi vepron me “dy porta”, duke qenë se ai është i afërm me Jamarbër Malltezin, teksa të dy janë marrë të pandehur për aferën “Partizani”.
Mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë pasur pjesë të agjendës së tyre një seri projektesh që arrijnë maksimalisht në 67 kate në Tiranë, teksa për bregdetin ndërtimet mbi 20 kate po bëhen diçka e zakonshme. Mes përfituesve rezultojnë trafikantë droge, personazhe që pastrojnë paratë e politikanëve dhe familjarëve të tyre, anëtarë të grupeve kriminale etj., gjithnjë të kamufluar me njerëz të besuar.
Në kryeqytet projektet duket se po zhvillohen në pjesë të ndryshme të tij, por më i madhi është ai në zonën e Bulevardit ë ri. Kompania “Klar” do të zhvillojë një kompleks kullash që nisin nga 33 kate deri në 67 kate. Janë të paktën gjashte të tilla që pritet të zhvillohen në këtë zonë.
Pas kompanisë Klar qëndron biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i lakuar dhe i skeduar herë si ortak i kamufluar dhe herë si mbulesë dhe prestanome i Shkëlzen Berishës, i cili dyshohet se ka kaluar shumë biznese, troje dhe kulla në emrin e Beshirit. Biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i njohur edhe si “garanti te Berishajt” për emërimin e Adriatik Llallës si kryeprokuror, është lakuar në media se pastron paratë e Shkëlzen Berishës dhe se mbulon kullat e tij.
Më herët, Fatmir Bektashi, ortaku zyrtar i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, ka marrë leje nga KKTU për kompleks pallatesh në Farkë, ndërsa ka nisur të shesë apartamente në ajër, në kuadër të planit për të ndërtuar një kompleks pallatesh në Drilon të Pogradecit, zonë e mbrojtur.
Pasi betonoi zonën pranë burgut të grave, duke ndërtuar 50 pallate pa bërë asnjë park të mirëfilltë për fëmijët, apo pa bërë çerdhe, kopsht apo shkollë, pa përmendur edhe rrugët për të hyrë dhe dalë, ai i ka vënë “syrin” zonës së preferuar të Farkës.
Disa kohë më parë, ai mori leje nga Bashkia e Tiranës për kompleksin “Aba”, duke ndërtuar disa godina nga 3 e 4 kate në një sipërfaqe të madhe ndërtimi.
Dhe, pa përfunduar ende projektin në fjalë, Bektashi ka marrë një leje të dytë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, duke e quajtur projektin “Aba 2”.
Leja mban firmën e kreut të KKTU-së, kryeministrit Edi Rama, dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku, e marrë edhe ajo e pandehur për aferën e Tunelit të Llogarasë.
Një paradoks tepër i madh, pasi megjithëse Bektashi është nën hetim për dy raste, ai sërish “shpërblehet” nga mazhoranca.
Duket se, Bektashi vepron me “dy porta”, duke qenë se ai është i afërm me Jamarbër Malltezin, teksa të dy janë marrë të pandehur për aferën “Partizani”.
Por, Bektashi ka pasur akses edhe nga eksponentë të mazhorancës së sotme, pasi me firmën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai mori lejen për pallatet te ish-kompleksi Partizani por edhe lejen për kompleksin “Mangalem 21”.
Bektashi ka përdorur edhe pasaportën e tij gjermane, ndërkohë që firma e tij “Kontakt” ka marrë leje edhe në zonën pranë Malit të Dajtit, në afërsi të Bulevardit të Ri, në Ali Dem, Farkë, Paskuqan e madje edhe në Parkun Kombëtar të Drilonit, një zonë e mbrojtur.
Dhëndri Malltezi avancon me projektin në Drilon
Dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, gjatë arrestit shtëpiak për aferën me ish Klubin Partizani, avancoi me projektin e kullave në zonën e mbrojtur në Drilon, përmes prestanomes Fatmir Bektashin, i pandehur për pastrim parash dhe korrupsion në dy dosje të SPAK-ut, njëra nga të cilat bashkë me Malltezin.

Pas kopsitjes së tjetërsimit të pronës përmes blerjeve të dyshimta dhe pazareve në studion ligjore të Argitës, dhëndri Malltezi i kërkon Ramës që të urdhërojë AZHT-në për të miratuar lejen për kompleksin e pallateve në Drilon.

Madje, për të shtruar presionin, Malltezi ka nisur të shesë apartamentet në ajër në Drilon, pa u miratuar leja, gjithnjë duke u kamufluar pas ortakut të tij, Fatmir Bektashi.
Jamarbër Malltezi pronar faktik i kompanisë Kontakt
Format e operimit me ish Klubin Partizani dhe në Drilon, tregon se Jamarbër Malltezi është pronar faktik i kompanisë Kontakt shpk. Se si Malltezi i tërheq përfitimet nga kompanitë e Bektashit e ka treguar dosje e SPAK; Me kontrata të paregjistruara, për shërbime konsulence dhe kontribut patriotik.
Gjithsesi Fatmir Bektashi i Kontakt dhe Jamarbër Malltezi janë të lidhur ligjërisht në ortakëri. Fatmir Bekteshi është pronar me 100 % të aksioneve dhe administrator i kompanisë Kontakt.

Kompania Kontakt me pronar në letra Fatmir Bektashin ka në pronësi bashkimin e kompanive Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Jamarbër Malltezi, nën akuzë nga SPAK bashkë me Bektashin për korrupsion dhe pastrim parash, është pronar me 50 % të aksioneve në kompaninë Kontakt shpk & Magnet Imo shpk.

Blerja e pronës në Drilon
Teksa SPAK vijonte hetimet për aferën me ish Klubin Partizani, Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha i kishin hedhur sytë në zonën e mbrojtur të Drilonit në Pogradec, për të ndërtuar një kompleks pallatesh, duke përdorur si maskë ortakun e Malltezit, Fatmir Bekashti me kompaninë Kontakt shpk, nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash për dosjen e Malltezit me ish Klubin Partizani dhe për dosjen e Erion Veliajt.

Duke përdorur si kamuflim Bektashin, çifti Malltezi ka kopsitur letrat e pronës në zonë të mbrojtur, në Pogradec, përmes presioneve, marrëveshjeve, ndërhyrjeve, falsifikimeve dhe shantazheve ndaj funksionarëve publikë. Prapaskena mëson se pronarët e pretenduar të pronës në Drilon janë kontaktuar nga çifti Malltezi përmes njerëzve të tyre, duke u blerë pronat, ashtu siç operuan në Porto Romano, ku u blenë banorëve të zonës pronat, duke ia shitur më pas Damir Fazlliçit disa herë më shtrenjtë, ndërsa më pas Berisha mblidhte qeverinë duke i rritur vlerën pronës.
Vendimet e KKTU:
1- Leje Ndërtimi për objektin: “Glob 3 Towers”, me vendndodhje në Rrugën “Siri Kodra”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Glob 3x Group” sh.p.k.
2- Leje Ndërtimi mi për objektin: “Hoteleri dhe banim me 24 kate mbitokë dhe 2 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Modeste” sh.p.k
3- Leje Ndërtimi për objektin: “Vlora Beach Tower”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Materia Cons 01” sh.p.k.
4- Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt banimi dhe shërbimesh 2-25 kate mbi tokë, me 4 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Viktor Eftimiu”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Trust Construction” sh.p.k.
5- Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimi 4, 5, 7, 9, 11, 14, 17, 21, 25 kate mbi tokë me 4 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kedinvest” sh.p.k.
6- Leje Ndërtimi për objektin: “Narea Hotel dhe Aparthotel” Zhvillim kompleks për ndërtimin e ambienteve të reja me funksion hotelerie prej 16 katesh mbi tokë dhe 3 katesh nëntokë, me vendndodhje në Qerret, Bashkia Kavajë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Grand Brillant” sh.p.k.
7- Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë multifunksionale “I-Love-Vlore Tower”, me vendndodhje në Bulevardin “Ismail Qemali”, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Stroytech” sh.p.k.
8- Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë multifunksionale “One Boulevard Tower”, me vendndodhje në Bulevardin e Ri, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “G&E Investment” sh.p.k.
9- Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë shërbimesh dhe banimi me 2, 34 dhe 36 mbi tokë dhe 5 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Ali Demi”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “El & El Construction” sh.p.k.
10- Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë Rezidenciale dhe shërbime tregtare me 22 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Gjergj Legisi”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Hein – Invest” sh.p.k.
11- Leje Ndërtimi për objektin: “Rezidence Turistike dhe Hotel 16 – 26 kate mbi tokë dhe 8 kate nëntokë”, me vendndodhje Mal Shengjin, Bashkia Lezhë, me subjekt zhvillues shoqërinë “S.T. Konstruksion” sh.p.k.
12- Leje Ndërtimi për objektin: “Gjirafa”, Strukturë banimi dhe hoteleri me 29 kate mbi tokë, me vendndodhje në Bashkinë Lezhë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Alessio Konstruksion”
13- Leje Ndërtimi për objektin: “Pines for Qerret Hotel & Apart Hotel”, Zhvillim kompleks për ndërtimin e ambienteve të reja me funksion hotelier, aparthotel dhe rezidencial prej 7, 10, 11, 14, 18 katesh mbi tokë me 2 katesh nëntokë, me vendndodhje në Qerret, Bashkia Kavajë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Grand Brillant” sh.p.k.
14- Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt hoteleri, banim dhe shërbime 1 dhe 24 kat mbitokë dhe 3 kate nëntokë, me vendndodhje në Pulaj-Plazh, Bashkia Shkodër, me subjekt zhvillues shoqërinë “Euro Sistem” sh.p.k.
15- Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi, shërbimesh dhe hoteleri 1, 2, 3, 33, 34, 59, 60, 62 dhe 67 kate mbi tokë, me 6 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Bulevardi i Ri”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Klar” sh.p.k.
16- Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimesh, 22 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë, me vendndodhje në Rrugën “5 Maji”, Bashkia Tiranë”, me subjekte zhvilluese shoqëritë “Constructal” sh.p.k dhe “Nova Construction Group” sh.p.k./ Prapaskena
Lini një Përgjigje