TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Tetor 2024, 13:50

Pakti "Rama-Meloni", niset drejt Shqipërisë anija e parë me emigrantë 

Shkruar nga Pamfleti

Pakti "Rama-Meloni", niset drejt Shqipërisë anija e
 
Anija Libra e Marinës është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve që do të vendosen në kampin e Gjadrit.

Në bord është kryer kontrolli fillestar i personave që do të transferoheshin, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: të jenë me origjinë nga vende të sigurta dhe burra. Në krye të nismës është Ministria e Brendshme, shkruan La Repubblica.

Refugjatët e hipur në anijen “Libra” janë të gjithë meshkuj, ndërsa gratë dhe të miturit, apo personat e sëmurë, janë dërguar në Lampedusa.

Në krye të nismës është Ministria e Brendshme. Javën e kaluar u vunë në funksion qendrat në Shëngjin dhe Gjadër dhe do të akomodojnë emigrantët e transferuar.

Pakti "Rama-Meloni", niset drejt Shqipërisë anija e
Qendrat ku do të akomodohen emigrantët

Intenerari i anijes së parë me emigrantë

Anija Libra fillimisht u ul në bregun sicilian pasi shpëtoi një grup emigrantësh që ishin larguar nga bregu i Afrikës së Veriut.

Sipas protokollit të nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni me homologun e saj shqiptar Edi Rama , azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh, raporton "Corriere dela sera".

Pakti "Rama-Meloni", niset drejt Shqipërisë anija e
Anija ushtarake italiane Libra, me të cilën po vijnë emigrantët në Shqipëri.

Nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Një procedurë, krahasuar me ato të parashikuara deri më sot, u përshpejtua ndjeshëm.

Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat, intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Gjithsesi i gjithë operacioni “Albania” shoqërohet me dyshime si ekonomike ashtu edhe juridike.

Sjellja dhe mbajtja e emigrantëve në dy bazat Shëngjin dhe Gjader ka një kosto dukshëm më të lartë se zbarkimi i tyre në Itali.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vuri gjithashtu në pikëpyetje listën e 22 vendeve që Italia i konsideron "të sigurta": për të marrë këtë status, asnjë kategori qytetarësh nuk duhet të jetë objektiv i diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor. 

Një kërkesë që pak nga 22 vendet e përmbushin.

Një tjetër dyshim: deri më sot, shqyrtimi i kërkesave për azil ka zgjatur më shumë se katër javë; Me skadimin e këtij afati, emigrantët rrezikojnë të kthehen në Itali , pasi nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar. 

Vendet që konsiderohen të sigurta janë: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.

Polemikat që prodhoi vendimi i Melonit për emigrantët

Për këtë operacion, të parin e këtij lloji në Europë, në Shëngjin e Gjadër do të ketë një personel prej 300 personash mes tyre, oficerë të policisë italiane, gjykatës emigracioni, punonjës të ministrisë së brendshme italiane, punonjës social, mjekë dhe psikologë.

Megjithatë, në vendin fqinj vijojnë polemikat për këtë iniciativë të kryeministres Meloni për të dekurajuar ardhjen emigrantëve në brigjet italiane.

Sipas “Sea Watch”, “qeveria e vetëshpallur patriote e Melonit po shpenzon miliona euro për të burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri. Paratë e taksapaguesve mund të ishin përdorur më mirë”, thotë kjo organizatë e cila merret me shpëtimin në det të emigrantëve.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministres, e cila deklaron se ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët italianë për të mbrojtur kufijtë dhe për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore.

Çfarë skandali! Një qeveri që me një mandat të marrë nga qytetarët, punon për të mbrojtur kufijtë italianë dhe për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore, përmes veprimeve konkrete dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, shkruan Meloni.

Të dielën, kryeministri Rama tha në një intervistë pikërisht për “La Repubblica” se refugjatët nuk do të kenë asnjë mundësi për të dalë nga kampi ku do të vendosen.

Marrëveshja parashikon që emigrantët nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. Nëse kjo do të ndodhte, një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje. Do të shqetësohem nëse dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar, dhe vetëm nëse Italia na kërkon të ndajmë shqetësimin. Deri atëherë, nuk jam i shqetësuar”, deklaroi Rama./ Pamfleti

 

Lini një Përgjigje