
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka ndaluar rreptësisht reklamimin e qumështit pluhur, pasi nuk duhet lënë mënjanë ushqyerja e bebeve me gji. Ky ushqim nuk ndalohet, pasi ka edhe raste kur nëna e re nuk ka qumësht, ama vlerat ushqimore janë të pakta dhe rekomandohet vetëm në rastet ekstreme, kurrsesi në raste të zakonshme. Për këtë, OBSH ka ndaluar të paktën reklamimin e qumështit pluhur.
Në prestigjozen “Daily Mail”, shkruhej gjerëisht mbi ndalimin e reklamimit të ushqyerjes së bebeve me formulë:
“Influencueset duhet të ndalohen të promovojnë qumësht formulë në mediat sociale, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ekspertët thanë se prodhuesit po përdorin gjithnjë e më shumë 'marketing shfrytëzues' në internet për të inkurajuar prindërit të kalojnë në formulë ose të blejnë produkte më të shtrenjta se ç'duhet.
OBSH tha se përditësimi i fundit i udhëzimit të tij të marketingut, i publikuar këtë muaj, ishte thelbësor për të ndihmuar në mbajtjen e rregulloreve në përputhje me zhvillimet e shpejta në botën dixhitale.
Rrjetet sociale po bëhen shpejt burimi mbizotërues i ekspozimit ndaj promovimit të zëvendësuesve të qumështit të gjirit globalisht, marketingu dixhital rrit shtrirjen dhe fuqinë e reklamave dhe… ekspozimi ndaj marketingut dixhital rrit blerjen dhe përdorimin e zëvendësuesve të qumështit të gjirit.
Udhëzimet e reja propozojnë një ndalim për influencuesit që promovojnë drejtpërdrejt produktet e formulave, por gjithashtu thonë se ato nuk duhet të paguhen nga kompanitë e formulave për të promovuar përmbajtje të markës, si 'klubet e bebeve' në internet ose linjat e këshillimit të prindërve, në mediat sociale.
Studimi, i prezantuar në konferencë, zbuloi se etiketat mbanin pretendime "idealizimi i qumështit të formulës, ose pretendime të ushqyerjes dhe shëndetit" - të cilat nuk lejohen.
Ata thanë se etiketat "shkelnin" shumë nga ligjet dhe rregulloret e krijuara për të mbrojtur prindërit nga marketingu "shfrytëzues" dhe treguan "si prodhuesit përdorin etiketat e produkteve si mjete marketingu për të rritur shitjet".
“Kur bëhet fjalë për ushqimin, prindërit u drejtohen profesionistëve të kujdesit shëndetësor, familjes dhe miqve, si dhe burimeve në internet.
“Përpjekja për të ndaluar aksesin në informacionin për formulën e foshnjës i pengon prindërit të bëjnë një zgjedhje të informuar dhe stigmatizon një opsion legjitim të ushqyerjes.”, shkruan ndër të tjera Daily Mail.
Por edhe ligji shqiptar e ndalon rreptësisht reklamimin e ushqimit të foshnjave me qumësht pluhur, apo formulë siç quhet rëndom.
E megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar distributorët e ndryshëm në Shqipëri të paguajnë personazhet e njohur shqiptarë ta bëjnë diçka të tillë. Emra si Dojna Mema, Jonida Vokshi, Orinda Huta, Delinda Disha etj, janë mjaftuar me marrjen e parave dhe kanë proçeduar me reklamën, mbase edhe nga padija që diçka të tillë e ndalon ligji, duke reklamuar diçka shumë të dëmshme, sidomos në rastet kur nëna ka qumësht për të ushqyer të voglin e saj.

Vipat apo blogeret e ndryshme duhet të kenë parasysh se më shumë se paratë ka vlerë jeta e njeriut, e sidomos kur bëhet fjalë për bebet. Çdo reklamë që ato bëjnë ndikon sado pak në ndërgjegjësimin ose jo të ndjekëseve/ndjekësve të tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje