Procesi i numërimit të votave po vijon ende, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një fitore të mandatit të katërt Partisë Socialiste të Shqipërisë me rezultat më të thellë nga 2021, duke siguruar deri tani në 83 mandate në Kuvend.
Në Shkodër janë numëruar 165 nga 405 kuti votimi, nga ku rezulton se Partia Demokratike ka një avantazh prej 2300 votash ndaj PS-së.
E përkthyer në mandate, deri tani demokratët kanë të sigurt pesë mandate, ndërsa Partia Socialiste 4 mandate.
Ashtu siç ka ndodhur katër vite më parë, në këtë qark forcë e tretë është PSD-ja e cila nxjerr dy deputetë.
Ndonëse është shumë i vështirë për t’u ndryshuar ky projeksion, PSD-së së Tom Doshit do t’i duheshin 2184 vota për t’i marrë një mandat tjetër Partisë Demokratike.

Gjithsej në të gjithë Shqipërinë janë 5225 kuti për votat brenda vendit, teksa kujtojmë se këtë vit ka votuar edhe diaspora.
Ndërkohë në rang vendi deri tani, Partia Socialiste ka marrë 223.823 vota në total, ose 83 mandate në Kuvend.Partia Demokratike ka arritur të marrë 145.672 vota në rang kombëtar, ose 51 mandate. Në vendin e tretë është Partia Social-Demokrate, që ka arritur të marrë deri tashmë 16.240 vota ose 3 mandate.
Nisma Shqipëria bëhet ka marrë në rang vendi 14.587 vota ose 1 mandat. Partia Mundësia gjithashtu ka marrë 11.049 vota ose 1 mandat. Lëvizja Bashkë ka marrë në total 5255 vota ose 1 mandat në parlament.
Lini një Përgjigje