TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Prill 2025, 18:07

‘Non gratat’ e Ballkanit rrisin lobimin pranë Trump; Berisha nën presionin e kohës, i duhet para 11 majit

Shkruar nga Denitsa Koseva

‘Non gratat’ e Ballkanit rrisin lobimin pranë Trump; Berisha

Pas heqjes së sanksioneve ndaj Antal Rogan, disa politikanë të Ballkanit shpresojnë të kenë të njëjtin fat për të dalë nga listat e zeza të SHBA. Mes tyre janë Dodik, Berisha, Peevski dhe Goranov. Çfarë po ndodh me lobimin, cilat janë kompanitë e angazhuara...

Që nga rizgjedhja e Donald Trump si President i SHBA-së, politikanët nga e gjithë Evropa Juglindore që janë vënë nën sanksionet amerikane kanë shtuar përpjekjet e tyre lobuese.

Individët e sanksionuar për korrupsion të nivelit të lartë dhe/ose lidhje me Rusinë janë optimistë se kthimi i Trump në pushtet nënkuptonte një administratë të re amerikane shumë më dashamirëse ndaj situatave të tyre.

Shpresat e tyre për të siguruar heqjen e sanksioneve u rritën më tej kur Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi në fillim të kësaj jave se Antal Rogan, një ndihmës i lartë i kryeministrit hungarez Viktor Orban, ishte hequr nga lista e sanksioneve të Thesarit.

Konservatori Orban është një nga liderët evropianë më të afërt ideologjikisht me Trump.

Vendimi për të hequr sanksionet ndaj Rogan u mor vetëm tre muaj pasi ai u fut në listën e zezë nën programin “Global Magnitsky” e për rolin e tij qendror të supozuar në korrupsionin sistemik.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto pretendoi se vendimi ishte marrë në ditët e fundit të administratës së Biden.

Pas një bisede me homologun e tij amerikan Marco Rubio, Szijjarto komentoi: “një epokë krejtësisht e re ka filluar në marrëdhëniet hungarezo-amerikane, e karakterizuar nga miqësia dhe pajtimi i plotë për çështjet kryesore”.

Zyrtarët hungarezë nuk janë të vetmit në rajon që shpresojnë për një rivendosje marrëdhëniesh nën drejtimin e Trump.

Menjëherë pasi u hoqën sanksionet ndaj Roganit, kreu i partisë qeverisëse bullgare Gerb, Bojko Borisov, tha se ishte i sigurtë se dy politikanë bullgarë, Vladislav Goranov i Gerbit dhe udhëheqësi i DPS – Fillimi i Ri, Delyan Peevski, do të hiqen nga lista e personave të sanksionuar sipas aktit Magnitsky.

“Do të vijë një kohë që ndaj Peevskit dhe Goranovit e vërteta do të dalë në shesh, siç ndodhi për Hungarinë,” tha Borisov. Ai shtoi se nuk e di se kur do të hiqen dy politikanët nga lista Magnitsky, por se "një proces për këtë është në vazhdim".

Është bërë gjithnjë e më evidente se qeveria e Bullgarisë varet nga mbështetja e Peevskit. Gerb po kërkon të përfshijë DPS-në - Fillimi i Ri në qeveri, por përballet me një reagim të ashpër nga protestuesit kundër korrupsionit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka rritur gjithashtu përpjekjet e tij lobuese muajt e fundit.

Dodik dhe anëtarët e familjes së tij janë sanksionuar nga SHBA për "përpjekjet e tyre për t'u pasuruar në kurriz të publikut" si dhe "përpjekjet e vazhdueshme të Dodik për të minuar kuadrin demokratik dhe multietnik që përcakton Bosnjën dhe Hercegovinën e sotme", thuhet në një deklaratë të Thesarit të SHBA më 17 janar - tre ditë para se Trump të merrte zyrtarisht detyrën.

Thesari kishte shënjestruar më parë individë dhe subjekte pranë Dodik me sanksione më 6 nëntor 2024. Në të njëjtën ditë politikani vendosi një kapele të kuqe në kokë me mbishkrimin MAGA për të organizuar një pritje kokteji duke festuar fitoren e Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Në janar, Republika Srpska nënshkroi një kontratë me Zell & Associates International Advocates LLC, për të punuar për heqjen e sanksioneve ndaj Dodik dhe familjes së tij.

Një tjetër kontratë lobimi për Dodikun u nënshkrua në fund të marsit me Rod Blagojevic, drejtor i kompanive RRB Strategies. Sipas gazetës Capital.ba, detyra për kompaninë e Blagojeviçit ishte të përhapte midis zyrtarëve të SHBA se sanksionet kundër Dodik ishin të motivuara politikisht.

Capital.ba ka raportuar që në prill se Dodik ka nënshkruar një kontratë të tretë, këtë herë me kompaninë lobuese Stokes Strategies LLC, gjithashtu për të lobuar për heqjen e sanksioneve të Magnitsky ndaj tij.

Presioni mbi Dodik po rritet pasi atij iu dha një dënim me burg në fund të shkurtit dhe gjithashtu është objekt i ndalimit të udhëtimit – të cilin ai e ka kundërshtuar vazhdimisht. Një gjykatë shtetërore boshnjake i ka kërkuar Interpolit të lëshojë një urdhër arresti ndërkombëtar për politikanin e diskutueshëm. 

Një tjetër politikan që besohet se shpreson për heqjen e sanksioneve amerikane kundër tij është lideri i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha.

Berisha, një ish-president dhe kryeministër, u sanksionua për “akte korruptive”, siç u njoftua nga ish-sekretari amerikan i shtetit Antony Blinker në maj 2021.

Ai pretendoi se sanksionet u vendosën pas lobimit nga Kryeministri Edi Rama dhe filantropisti miliarder George Soros.

Siç raportohet nga The New York Times, Chris LaCivita, bashkë-menaxheri i fushatës së rizgjedhjes së Trump, dhe Paul Manafort vizituan Shqipërinë në shkurt. Sipas medias amerikane, thuhet se ata do të ndihmonin Berishën për heqjen e sanksioneve.

HuffPost raporton se ekipi i LaCivita tani përfshin edhe anketuesin e Trump, Tony Fabrizio dhe bashkëpunëtorin e Manafort, Phil Griffin.

Por fushata e Berishës është nën presionin e kohës pasi ai ka nevojë urgjente për heqjen e sanksioneve përpara se Shqipëria të mbajë zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, ku ai synon të pengojë fitoren e 4 radhazi të Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama. /Përshtati Pamfleti nga IntellNews/

Lini një Përgjigje