TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Shtator 2025, 21:16

"Një politikan shqiptar mori dhuratë orën 400 mijë euroshe nga narkotrafikantët", Klodiana Lala jep detaje për takimin në Aruba

Shkruar nga Pamfleti

"Një politikan shqiptar mori dhuratë orën 400 mijë

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje mbi dosjen belge “Black Eagle”, ku përmendet një takim i zhvilluar në Aruba, ku morën pjesë figura të njohura të krimit të organizuar shqiptar dhe politikanë të lartë.

Sipas dokumenteve të publikuara nga autoritetet belge, emrat e zbardhur janë: Artur Shehu, një vlonjat që jeton në SHBA dhe konsiderohet figura qendrore e takimit, Alfredo Hamzaj, i pandehur në procesin “Black Eagle”, si dhe Bashkim O., shtetas nga Kosova.

Në dosje përmendet gjithashtu dyshimi për përfshirjen e politikanëve shqiptarë me profil të lartë, si dhe qëllimi i takimit ishte përfitimi i lejeve të ndërtimit në Shqipëri. Një provë e rëndësishme e përmendur është edhe një dhuratë, një orë me vlerë rreth 400 mijë euro, që dyshohet t’i jetë dhënë një politikani shqiptar.

Për herë të parë është mësuar për takimin në Aruba, mbi bazën e një dokumenti të rrjedhur nga autoritetet belge dhe të publikuar në mediat e këtij vendi në vitin 2023-2024.

Bëhet fjalë për një proces gjyqësor të njohur si “Black Eagle” ose “Shqiponja e Zezë”, ku u hetua një grup kriminelësh dhe trafikantësh shqiptarë të kokainës, që vepronin nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht në portin e Rotterdamit.

Ky grup u gjykua nga një gjykatë belge, jo vetëm mbi bazën e të dhënave të përftuara nga zbërthimi i aplikacionit të koduar “Sky ECC”, por edhe mbi prova të tjera të mbledhura nga hetuesit.

Për herë të parë, në një dokument të publikuar dhe në disa shkrime të asaj periudhe, përmendej një takim i zhvilluar në Aruba, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm personazhesh të botës së krimit, kryesisht shqiptarë.

Mediat belge identifikuan disa nga pjesëmarrësit, ndër ta figurën më të rëndësishme të krimit të organizuar sipas tyre, Artur Shehu, një vlonjat që jeton aktualisht në SHBA.

Gazetarja Lendita Çela ka kryer një investigim të detajuar rreth këtij personazhi përmes organizatës investigative ku punon, duke nxjerrë në pah rolin qendror të Shehut në këtë takim, sipas dokumenteve të procesit.

Personi i dytë i përmendur si pjesëmarrës ishte i pandehuri në procesin “Black Eagle”, Alfredo Hamzaj. Për autoritetet shqiptare emri i tij nuk kishte shumë peshë, por për autoritetet belge konsiderohej si një personazh shumë i rëndësishëm i botës së krimit.

Një tjetër i identifikuar ishte një shtetas nga Kosova me emrin Bashkim O., për të cilin nuk jepet mbiemri në dokumentet e rrjedhura, por që sipas hetimeve është i evidentuar me emër e mbiemër të plotë.

Në dokumentet belge theksohej gjithashtu se në këtë takim ishin përfshirë edhe politikanë shqiptarë me profil të lartë, por emrat e tyre nuk publikoheshin.

Po ashtu, kishte të dhëna se disa autoritete ligjzbatuese në Itali, Holandë dhe Belgjikë kishin informacion për këtë mbledhje.

Sipas hetimeve, një nga pistat më të forta lidhej me përfitimin e lejeve të ndërtimit në Shqipëri. Artur Shehu përmendej si një ndër personat qendrorë në tjetërsimin e pronave në Vlorë, ndërkohë që jeton në SHBA.

Në dosjen “Black Eagle” përmendej gjithashtu një dhuratë, një orë me vlerë rreth 400 mijë euro, që dyshohet t’i jetë dhënë një politikanie shqiptare. Ky fakt shihej si një provë e mundshme që autoritetet do ta ndiqnin nëse do të kishin vullnetin për ta hetuar.

Thelbi i gjithë çështjes, sipas dokumenteve, lidhej me lejet e ndërtimit që mund të kishin përfituar personat e pranishëm ose të afërmit e tyre. Hetimi i këtyre lidhjeve mund të ndriçonte atë që ishte biseduar në takim dhe arsyen pse bosët e krimit u mblodhën në Aruba: për të ndarë ndikimin dhe interesat e tyre mbi pronat dhe lejet e ndërtimit në Shqipëri.

Kjo çështje është rikthyer në vëmendje pas publikimit të një libri nga një gazetar italian, i cili i është referuar gjithashtu takimit të Arubës. Për gazetarët hetues, ky takim është i njohur prej kohësh dhe lidhet drejtpërdrejt me procesin “Black Eagle” në Bruksel.”-shprehet Lala.

Lini një Përgjigje