
Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë u arrestua nga SPAK, por sipas raportit të KLSH, thuajse në çdo institucion ka abuzime me tenderët....
Abuzimi me fondet shtetërore duket se ka kapur majat. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se gjatë vitit 2022 ka pasur afro 800 milionë euro dëme në buxhet.
Por cilët janë sektorët më problematikë? Si abuzojnë institucionet dhe pse nuk merren masa? KLSH ka zbuluar se në institucionet qendrore, janë shumë dikastere që përdorin skema nga më të ndryshmet për të dhënë tendera te subjekte të caktuara.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në 5 procedura, kërkesat e njësisë së prokurimit, në lidhje me stafin, licencat, certifikatat që operatorët ekonomikë ofertues duhet të disponojnë nuk përkojnë me tipologjinë e objektit të kontratës që prokurohet; Në 4 procedura prokurimi KVO nuk ka bërë verifikimin e plotësimit të specifikimeve teknike nga operatori ekonomik.
Në Ministrinë e Mbrojtjes: Për 22 procedura prokurimi, operatorët ekonomikë të sigurimit të jojetës/jetës që operojnë në territorin Shqiptar, kanë përdorur skemën e marrëveshjeve të ndaluara duke rënë dakord që të mos paraqiten secili më vete, por të gjithë së bashku, si bashkim operatorësh, duke përdorur skemën e kryesuesit (përfaqësimit) me rotacion, paraqitur në rrotullim kryesuesin (përfaqësuesin) jo vetëm në renditje por dhe në përqindjen e pjesëmarrjes në kontratë, dhe duke krijuar një treg të mbyllur të sigurimeve (për sigurimin e jo-jetës/jetës me vlerë 4,751,484 mijë lekë);
(ii) për projektin “Ndërtimi i objektit poli funksional dhe infrastrukturës ushtarake, Garnizoni Bërzhitë, Tiranë”, me vlerë 460,738 mijë lekë, nuk është zgjedhur procedura e duhur në përputhje me objektin e prokuruar; (iii) në procedurën e prokurimit “Blerje pajisje për përcaktimin e vendndodhjes së mjeteve të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me sistemin global të vendndodhjes/GPS, sensor të matjes së konsumit të karburantit dhe pajisje të tjera në funksion të sistemit” fondi limit është llogaritur në mesataren aritmetike zë për zë për të 6 artikujt (pajisjet) të tre ofertave të kërkuara dhe të ardhura nga operatorët ekonomik, veprim në kundërshtim me Rregulloren e Këshillit të Ministrave nr. 4248 prot., datë 16.10.2008.
Në DPSHTRR: (i) Nga autoriteti kontraktor nuk është marrë parasysh ndarja në lote e procedurave, në rastin kur kontrata përbëhet nga punë të ngjashme, por në adresa të ndryshme, gjë që kërkon angazhim të njëkohshëm në dy kantiere; (iii) AK ka vendosur kërkesa, të cilat nuk janë në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës që do të prokurohet; (iv) Operatorët ekonomik fitues nuk kanë paraqitur dokumente, të cilat vërtetojnë se plotësojnë kriteret e përcaktuara në DST; (v) Licencat profesionale NZ të punimeve dhe vlera e punimeve, nuk plotësonin kushtin e përcaktuar në DST, veprime në kundërshtim me VKM-në nr. 42, datë 16.01.2008.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës: Kriteret për kualifikim kanë qenë të paargumentuara dhe jo në përputhje me natyrën dhe objektin e kontratave; Përllogaritja e gabuar e fondit limit për objektin e kontratës “Shërbime inxhinierike të pavarura për zbatimin e Kontratës Koncesionare/PPP “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Porti i Jahteve – Bypass Orikum Dukat (Ura e Shën Elizës)” ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të rimbursueshme në vlerën 155,695 mijë lekë me TVSH.
Në FSHZH: AK ka vendosur kërkesa, të cilat nuk janë në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës; Jo të gjithë kriteret e pjesëmarrjes janë argumentuar teknikisht; AK ka përcaktuar si kriter për shpalljen e ofertës fituese, ofertën “ekonomikisht më të favorshme, bazuar në kosto”, kriter i cili është i paargumentuar dhe që ka ndikuar në përzgjedhjen e fituesit në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi; Në mënyrë të gabuar, i është ngarkuar një punonjësi të vetëm shqyrtimi i ankesës/ave dhe dhënia e një vendimi; KVO nuk ka bërë verifikimin e plotësimit të specifikimeve teknike nga OE, duke mos vlerësuar drejt shoqëritë pjesëmarrëse në garë.
Në Ministrinë e Kulturës (MK): Për procedurat e konkurimit publik, nuk është parashikuar komisioni dhe mënyra për llogaritjen e fondit limit, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi; Në llogaritjen e fondit limit nuk ka asnjë preventiv fillestar apo planimetri të objektit dhe se si kanë dalë këto zëra dhe sasitë e secilës prej tyre; janë konstatuar raste kur lidhja e kontratave midis AK dhe OE për punimet e veprave të monumenteve të kulturës është bërë në kushtet e mungesës së lejeve për miratimin e ndërhyrjes nga KKTKM.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve (MAS) u evidentuan: (i) diferenca në fondin limit të përllogaritur nga MAS ndaj çmimit të përcaktuar nga AKSHI për procedurën “Blerje pajisje elektronike dhe elektro shtëpiake për konviktet e studentëve Shkodër, Vlorë dhe Korçë”; (ii) Veprime të parregullta e fiktive lidhur me marrjen në dorëzim të mobiljeve dhe pajisjeve didaktike për laboratorët fizikë-kimi-biologji, në vlerën 8,598 mijë lekë, pasi mallrat e mësipërm nuk gjendeshin në ambientet e institucionit arsimor;
(iii) Shpenzim pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet ne vlerën 46,887 mijë lekë, si rezultat i mospërputhshmërive të konstatuara në kontratat e furnizimit për prokurimet e kryera nga MAS në kuadër të rindërtimit të shkollave nga tërmeti, në 2 procedurat prokurimi: “Blerje pajisje mobilierie për shkollat e Sistemit Arsimor Parauniversitar” si dhe “Blerje pajisje didaktike për laboratorët fizikëkimi-biologji”.
Në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Tiranë (DSHQ), rezultoi se dosjet e prokurimeve për të cilat janë përfunduar procedurat përkatëse nuk rezultuan të jenë të numëruara sipas inventarit dhe të arkivuara pranë sektorit të arkiv-protokollit; Procesverbali nr.2 i hapjes dhe vlerësimit të procedurës nuk është bërë në përputhje me kërkesat e nenit12 të ligjit nr. 9643, “Për prokurimin publik” pasi në asnjë prej procesverbaleve, as në raportin përmbledhës nuk janë përcaktuar vlerat e ofertave të ardhura nga operatorët, por janë vendosur vetëm dokumentacioni i sjellë prej tyre.
Pra duket se thuajse në çdo institucion që ka hyrë KLSH ka gjetur parregullsi. Pak ditë më parë u vu në pranga Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë, por nëse SPAK lexon raportet e KLSH atëherë do ketë shumë sekretarë të tjerë për të hetuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje