Operacioni i madh ndërkombëtar i emërtuar “FRIDA-REFOX” u zhvillua në datat 8 dhe 9 nëntor 2022 në vendin tonë dhe zbuloi se pre e skemës së mashtrimit kanë rënë 200,000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë...
Policia e Dubait arrestoi një javë më parë një prej personave më të kërkuar, Amant Josifin, i cili është i përfshirë në skema të mëdha mashtrimi me call centerat. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, i cili ka lidhje të forta në qeverinë shqiptare.
“Pamfleti” ka denoncuar disa herë lidhjet e Josifit me Olta Xhaçkën dhe Olsi Ramën, ndërsa sot do të tregojmë se si shteti shqiptar e mbrojti deri në fund, por ishin policia spanjolle dhe INTERPOL që e arrestuan.
Sipas dosjes spanjolle, organizata “Milton Group” ku akuzohet se bënte pjesë Josifi, ka mashtruar mijëra persona në Spanjë dhe vende të tjera të BE-së si dhe ka përfituar përmes mashtrimit dhjetra milionë euro.
Mbrojtja nga autoritetet
Në disa operacione të zhvilluara në tetor-nëntor 2022, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, në bashkëpunime me autoritetet spanjolle dhe Europol, bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group' dhe arrestoi 4 të dyshuar.
Por në atë kohë nuk figuronte në listën e të kërkuarve Amant Josifi. Edhe pse Spanja e kishte shpallur si person që duhej arrestuar, autoritetet shqiptare nuk e prangosën kurrë. Po ashtu skandali është se ai nuk u shpall kurrë në kërkim ndërkombëtar nga SPAK e policia, ndonëse krimin e kishte kryer në vendin tonë.
Pak kohë më parë, Projekti për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (OCCRP) i kushtoi një shkrim Josifit dhe po ashtu ata deklaronin se SPAK dhe policia shqiptare e mbronin.
Në artikull thuhet se autoritetet refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të shumta nga OCCRP, duke thënë se ishte e pamundur të jepeshin detaje për njerëzit e shpallur në kërkim për shkak të “sekretit hetimor”.
“Vetëm, pasi një gazetar bëri tre kërkesa në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe dy në polici, prokurorët lëshuan një deklaratë ku konfirmonin se Spanja kishte lëshuar një urdhër për Josifin. Ata theksuan se urdhri nuk ishte lëshuar nga Shqipëria, por shtuan: “Përderisa një shtetas shqiptar kërkohet ndërkombëtarisht nga autoritetet e huaja, ai person kërkohet patjetër në Shqipëri”. Policia nuk iu përgjigj pyetjeve të OCCRP-së se çfarë po bëhej për gjurmimin e Josifit”, thekson artikulli.
Madje policia shqiptare fshehu arrestimin. Edhe pse njoftimi erdhi para një jave që ai u ndalua, policia reagoi vetëm dje pasi e denoncoi ish-kryeministri Berisha.
Mbrojtja politike
Mbrojtja që ata kanë marrë ka ardhur për shkak të lidhjeve me Olta Xhaçkën dhe Olsi Ramën. Josifi u emërua këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka në vitet 2017-2020. Ndërsa sa i takon lidhjeve me Olsi Ramën ishte po OCCRP që tregoi gjithçka.
“31-vjeçari Josifi ka lidhje të fuqishme në Shqipëri. Ai ka qenë këshilltar zyrtar i ministrit të Mbrojtjes që nga dhjetori 2017, kur u emërua nga Olta Xhaçka, anëtare e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.
Josifi është gjithashtu një ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit, Ols (Olsi) Rama, me të cilin ishte bashkëpronar në një firmë telekomunikacioni dhe telemarketing, Pegasus Communications Shpk, derisa Josifi shiti aksionet e tij në dhjetor 2017.
Nëna e tij, Pranvera Strakosha, është një ish-gjyqtare, e cila tani është Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, një ombudsmen i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të qeverisë”, thuhej aty.
Emri i Josifit doli në dritë pas një shkrimi të publikuar në median spanjolle “El Pais”, që e konsideronte Josifin ‘kokën’ e mashtrimeve në bursa si dhe garancinë e paprekshmërisë për Milton Group’.
Operacioni i madh ndërkombëtar i emërtuar “FRIDA-REFOX” u zhvillua në datat 8 dhe 9 nëntor 2022 në vendin tone dhe zbuloi se pre e skemës së mashtrimit kanë rënë 200,000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Në vendin tonë u arrestuan dy emra të njohur Erindi Pisqyli e Berlando Saraçaj.
Skena e arrestimit
Sipas informacionit, hetuesit spanjollë i kthyen ata në bashkëpunëtorë. Dy ditë pas arrestimit, ata deklaruan se bosi i tyre ishte Amant Josifi. Emri i tij shkoi më pas në INTERPOL dhe Spanja nisi gjurmimin duke anashkaluar autoritetet shqiptare. INTERPOL zbuloi se ai fshihej në Spanjë dhe vuri në dijeni autoritetet e Dubait. Më pas ato bënë lokalizmin dhe e ndaluan. Ai nuk është në masë arresti, por po pritet që të vijnë dokumentet nga Spanja dhe të bëhet ekstradimi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje