TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Nëntor 2025, 18:01

Nga kreu i BKH-së te ai i SPAK, kur pritet zgjedhja e drejtuesve të rinj?

Shkruar nga Pamfleti

Nga kreu i BKH-së te ai i SPAK, kur pritet zgjedhja e drejtuesve të

Byroja Kombëtare e Hetimit prej 31 gushtit është pa një drejtues, ndërsa puna e saj drejtohet nga zv.Drejtori, i cili synon postin e kreut të strukturës speciale që operon pranë SPAK.

Në anën tjetër vetë SPAK ka hyrë në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të ri, edhe pse zyrtarisht mandati i Altin Dumanit përfundon në 21 dhjetor.

Në garën për kreun e BKH janë 7 kandidatë, ndërsa në garën për kreun e SPAK janë 4 prokurorë të Prokurorisë Speciale.

Por kur pritet të përfundojë procesi i zgjedhjes së drejtuesve të dy prej hallkave kryesore të sistemit të drejtësisë?

Në garën për kreun e BKH-së janë kualifikuar 7 kandidatë, njëri prej të cilëve do të marrë edhe drejtimin e Byrosë. Bëhet fjala për kandidatët Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta. Ky i fundit po drejton BKH-në si i komanduar, pasi mban funksionin e zv.shefit të strukturës së posaçme hetimore.

Nga të dhënat mësohet se për të 7 kandidatët ka përfunduar plotësisht procesi i kontrollit, ku janë mbledhur të dhënat nga institucionet e sigurisë dhe ato financiare, ndërsa pritet që komisioni i posaccëm i ngritur në SPAK me 3 anëtarë, të bëjë edhe renditjen përfundimtare. Brenda javës së ardhshme emrat do i përcillen KLP-së të renditur në bazë të vlerësimit dhe kjo shënon edhe fazën përmbyllëse të të gjithë procesit që nisi rreth 4 muaj më parë.

Kryetarja e KLP-së gjatë raportimit në Kuvend tha se zgjedhja e kreut të ri të BKH-së do të realizohet brenda 10 nëntorit. Por duket se ky afat do të shkelet me disa ditë.

Ndërkohë në fillim të dhjetorit pritet të nisë procedura dhe zgjedhja e kreut të ri të SPAK, duke i dhënë kohë në këtë mënyrë drejtuesit të ri që të organizojë punën përpara marrjes zyrtarisht të detyrës.

Në garën për drejtimin e Prokurorisë Speciale janë Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.

Xholi dhe Braho drejtojnë seksionet e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa kjo është hera e parë që pozicionin e drejtuesit të SPAK e synojnë 4 kandidatë. Tre vite më parë këtë pozicion e synuan 3 kandidatë, ndërsa fitues u shpall Altin Dumani. Gara në atë kohë kaloi nën monitorimin e fortë të Yuri Kim, diplomates amerikane, që iu desh të qëndronte në sallën e mbledhjes së KLP-së dhe të mbante ‘shënime’ mbi votat e secilit prej anëtarëve të Këshillit.

Ndërkohë gara që pritet të nxjerrë edhe drejtuesin e SPAK-ut duket se ka një ‘monitorim të moderuar’ nga ata që konsiderohen partnerë ndërkombëtarë të institucionit, ndërsa gara ka nisur me ato që konsiderohen si ‘lobime’ të favor të njërit apo tjetrit kandidat.

 

Lini një Përgjigje