
Ministria e Financave ka reaguar për ndërhyrjen e policisë sot te godinat e “Prestige Resort” të Irfan Hysenbelliut.
Sot policia bllokoi godinat dhe MF reagoi duke thënë se ato do t’i kalojë në pronësi Shërbimit Social Shtetëror. Ministria e Financave bën me dije se janë ndjekur të gjitha procedurat në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë se me kërkesë të Shërbimit Social Shteteror, me qëllim sigurimin e hapësirave shtesë dhe të reja për institucionet rezidenciale për ofrimin e shërbimeve sociale për personat me aftësi të kufizuar apo kategorive të tjera vulnerabel, me qëllim përmbushjen e standardeve sa më të mira për marrësit e shërbimeve të ofruara nga institucionet e përkujdesit shoqëror, i ka propozuar Këshillit të Ministrave kalimin e objekteve në pronësi publike, konfiskuar në baze të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Të gjitha procedurat e kryera nga institucionet publike në harkun kohor 2022-2023 janë në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën. Ndryshe nga sa pretendojnë palë të caktuara nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor, i asnjë lloj forme, që të ketë pezulluar vendimmarrjen shtetërore.
Ditën e sotme, nuk ka ndodhur asgjë ndryshe nga ditët dhe javët e kaluara, kur përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë kryer procedurat e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes.
Politizimi dhe mediatizimi i kësaj çështje e cila në thelb është një procedurë administrative nuk i shërben as zbatimit të ligjit, as mbështetjes që shteti shqiptar i jep shtresave në nevojë”, thuhet në reagimin për mediat.
Lini një Përgjigje