TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Nëntor 2023, 19:36

“Mungesa e seksit është sfiduese”, rrëfehen murgjit që jetojnë në Farkë: Lopën e kemi “nënë”, prandaj pimë vetëm qumështin e saj

Shkruar nga Pamfleti

“Mungesa e seksit është sfiduese”, rrëfehen murgjit

Të ftuar në emisionin “Real People” në Euronews Albania, këtë shtunë, ishin tre murgj të besimit Krishna, të cilët kanë zgjedhur zonën e Farkës në Tiranë për të jetuar përkohësisht.

Murgu Sankirtan Das i shpjegoi moderatorit Flor Gjini arsyet pse ata konsumojnë vetëm qumështin e lopës.

Sipas tyre trupi ka nevojë për proteina shtazore për të siguruar energjinë e nevojshme dhe mënyra më e mirë t’i marrësh në mënyrë të “qytetëruar” është duke konsumuar qumësht dhe duke mos ngrënë mish.

Ai tha se lopa konsiderohet si një nënë pasi ushqen me qumësht gjatë gjithë jetës njerëzit, ashtu sikurse bën nëna me të porsalindurit.

“Përgjithësisht për funksionimin e mirë të trupit nevojitet një proteinë me bazë shtazore, dhe mënyra më e qytetëruar është kur e merr nga kafshët duke mos i dëmtuar ato. Ky qumësht konsiderohet burim shumë i mirë dhe i konsiderueshëm i energjisë për njerëzit. Në fakt është gjak i përpunuar që e merr në mënyrë shumë humane. Me qumështin merr të njëjtat vlera sikur ha mish. Lopa është e konsideruar si mamaja jonë pasi na jep ne qumësht. Nëna jonë na ushqen me qumësht në fillimet e jetës sonë dhe më pas gjatë gjithë jetës ne ushqehemi nga lopët me qumësht”, tha ai.

Sankirtan Das, një prej 3 murgjve, tregoi 4 rregullat bazë që duhen respektuar nëse do të bëhesh pjesë e këtij besimi: “Nëse dëshiron të bëhesh pjesë e këtij besimi duhen respektuar 4 rregulla bazë: Të jesh vegjetarian, të mos pish alkool/cigare/kafe/çaj të zi, të mos jesh i varur nga bastet si dhe të mos bësh seks, përveçse për arsye riprodhimi”.

Kriteri i fundit është më i vështiri për t’u zbatuar, gjë që e pranon edhe Sankirtan Das.

“Unë jetoj si murg, nuk kam grua që do të thotë nuk bëj seks. Ndaj nuk kemi aq anëtarë sa duhet të kishim po të ishim më tolerantë në veçanti në parimet e seksit. Sepse për shumë njerëz është pak sfiduese ta ndjekin këtë rrugë. Duhet shumë vullnet për ta bërë siç duhet. Është e vështirë por ne kemi metodat tona për ta përballuar; shoqërohemi me murgj të tjerë, rrimë bashkë dhe kjo na jep fuqi. Dhe kemi diçka që ne e quajmë shija më e madhe, pra kur merr shijen më të madhe nga praktikat shpirtërore nuk ke më shije për diçka më të vogël”, tregoi ai.

Lini një Përgjigje