
Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk lë moment pa i kujtuar kryeministrit Edi Rama faktin se organizatat dhe individët e lidhur me armikun e tij Fetullah Gylen, operojnë në Shqipëri. Sa herë që i jepet mundësia atij dhe ministrave të tij, ata gjënë e parë që thonë është lufta ndaj të ashtuquajturës organizata “FETO”.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe ditën e sotme gjatë një bisede telefonike mes Erdoganit dhe Ramës, ku sipas zyrës së presidenti turk, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe globale, por jo vetëm.
“Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe diskutoi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe globale. Erdogan tha se marrëdhënia Turqi-Shqipëri është në një nivel të avancuar dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike dhe ushtarake”, njoftoi sot zyra e Komunikimit të Turqisë, raporton “Anadollu”.
Siç ka ndodhur dhe herë të tjera, Erdogan duket se nga telefoni i ka përsëritur Ramës porositë, se pret luftë më të ashpër ndaj grupit të Gylenit në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe atë fetare. Kur ndodhi grushti i shtetit në Turqi, Erdogan i solli Ramës një listë me institucione që duhen mbyllur dhe individë që duhen ekstraduar në Turqi. Ajo listë nuk është finalizuar, madje është përditësuar dhe Erdogan ja kujton Ramës herë pas here.
“Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar”, thuhej më tej në njoftimin zyrtar të presidencës turke.
Kujtojmë se Turqia ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të mbyllen mbi 14 organizata dhe institucione arsimore dhe shëndetësore, pasi financohen nga Fetullah Gylen.
Çfarë kërkon Erdogan nga Rama?
Sa u takon institucioneve, sipas mediave turke, sot në Shqipëri operojnë afro 14 organizata të financuara nga fondacionet e Gylen, duke përfshirë 2 universitete (Universiteti Beder, Universiteti EPOKA), 5 kolegje (arsim parashkollor dhe parauniversitar), 5 medrese dhe 2 institucione të kursit të gjuhës. Sipas mediave turke, "FETO" privatizoi dhe mori medresetë e KMSH në qytetet e Kavajës, Korçës, Beratit, Elbasanit dhe Tiranës në kuadër të Fondacionit SEMA./Pamfleti
Lini një Përgjigje