
Analisti Ergys Mërtiri, ka hedhur dyshime të forta mbi projektin e qeverisë shqiptare për krijimin e një “ministri virtual” me inteligjencë artificiale, të prezantuar me emrin “Diella”.
Sipas Mërtirit, ky projekt nuk ka lidhje me inovacionin e teknologjisë, por është një manovër propagandistike e kryeministrit Edi Rama.
“‘Diella’ është më shumë një fushatë PR që bën kryeministri. Është një element i cili bëhet për të tërhequr vëmendjen, për të prodhuar efekt mediatik. Për të gënjyer një pjesë të mirë të shqiptarëve me idenë që ne po bëjmë inovacione shumë të përparuara në teknologji. Dhe nga ana tjetër për të tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar që Shqipëria është një vend i cili eksperimenton në fushën e teknologjisë”, tha Mërtiri në një intervistë për Ora News.
Ai shtoi se Rama po tenton të krijojë një imazh të rremë të Shqipërisë në sytë e Bashkimit Europian: “Rama kërkon që të gënjejë shqiptarët me idenë që kjo është Shqipëria që ne po projektojmë dhe ky është imazhi i Shqipërisë që ne po projektojmë në BE”.
Mërtiri vuri në dukje se përdorimi i teknologjisë në tendera shihet si një justifikim për të shmangur përgjegjësitë politike dhe për të bërë qytetarët të besojnë se korrupsioni është zhdukur.
“Përdorimi i teknologjisë për tenderat është edhe një mënyrë për të mos dhënë përgjegjësi, për të vënë në gjumë publikun sikur tashmë tenderat nuk do i japin më ministrat e korruptuar, por tashmë është teknologjia që e përzgjedh”, tha ai.
Lini një Përgjigje