
Një prej hapësirave më të degraduara të Shkodrës, ish-reparti ushtarak në Bërdicë, i mbuluar prej dekadash nga tonelata hekurishte dhe qindra automjete të bllokuara, po i rikthehet më në fund qytetarëve. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronës në administrim të Bashkisë Shkodër, punimet për pastrimin e zonës tashmë kanë përfunduar, duke hapur rrugën për një transformim urban.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektuan nga afër terrenin, që deri pak javë më parë shërbente si magazinë e automjeteve të bllokuara nga policia.
“Janë rreth 327 automjete dhe motomjete që janë hequr nga kjo zonë dhe janë grumbulluar në Porto Romano. Pjesa tjetër e skrapit ishte e mbetur prej më shumë se 12 vitesh. Sot kjo hapësirë është e lirë dhe gati për investim,” tha Xhaja.
Në total bëhet fjalë për tre hektarë tokë, që do të shndërrohen në hapësirën më të madhe publike të qytetit. Projekti, i përbashkët mes Bashkisë Shkodër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, parashikon ndërtimin e një këndi lojërash modern për fëmijë, hapësira rekreacioni për prindërit dhe gjelbërim që do t’i japë frymëmarrje një zone të bllokuar prej dekadash.
Për kryebashkiakun Benet Beci, ky është një transformim i madh për Shkodrën: “Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin tonë. Për 30 vjet, kjo hapësirë ka qenë e zaptuar nga makina të ndryshkura dhe nuk kishte asnjë vlerë për qytetarët. Sot e kemi çliruar dhe do ta kthejmë në një park për fëmijët e Shkodrës. Është një dhuratë për komunitetin dhe një premtim që po e bëjmë realitet.”
Investimi pritet të nisë së shpejti dhe do të sjellë parkun më të madh të lojërave në Shkodër, një hapësirë që synon të gjallërojë jetën e qytetarëve dhe të kthehet në simbol të transformimit të qytetit drejt standardeve moderne urbane.
Lini një Përgjigje