Prokuroria ka urdhëruar 11 banka në vend që të zhbllokojnë llogaritë për klientët që janë goditur nga “Final” dhe “Micro Credit Albania”.
Lajme të mira për të gjithë qytetarët që kanë rënë pre e mashtrimeve nga piramidat financiare, të njohura si institucione të mikrokredive. Prokuroria ka urdhëruar që të hiqet sekuestroja për mijëra llogari bankare, të bllokuara nga “Final” dhe “Micro Credit Albania”.
Këto të fundit, blinin kredi të këqija nga institucionet jo banka, por dhe banka të nivelit të dytë dhe më pas shantazhonin qytetarët që të shlyenin detyrimet. Ata që nuk kishin mundësi u përballën me pasoja, pasi pa asnjë paralajmërim ju bllokuan llogaritë bankare qoftë të pagës, ashtu dhe të kurismeve, duke mos tërhequr dot asnjë lekë.
Por pas arrestimeve që kreu prokuroria dhe konstatimeve se kemi të bëjmë me një skemë zhvatje, është vendosur që të hiqen sekuestrot. Prokuroria ka urdhëruar 11 banka në vend që të zhbllokojnë llogaritë për klientët që janë goditur nga “Final” dhe “Micro Credit Albania”.
“Që të mos vazhdojnë pasojat e veprave penale ndaj qytetarëve…kërkojmë nga ana Juaj heqjen e sekuestrove të vendosura mbi llogaritë e të gjithë qytetarëve, nga përmbaruesit të cilëve u është hequr licenca….Lista e emrave të qytetarëve që do t’u hiqet sekuestrimi i llogarive bankare të na dërgohet, me qëllim që në vazhdim të kryhen verifikimet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara”, thekson prokuroria. Duke parë shkresën e prokurorisë, pritet që e njëjtë gjë të ndodhë dhe me pronat e sekuestruara.
Banka e Shqipërisë në Maj u hoqi licencat të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k
Vendimi erdhi, pasi prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte nisur hetim ndaj nëntë personave, mes tyre dhe administratores së Micro Credit Albania, Elda Ibro, dhe administratorit të subjektit "Final' Arben Meskuti nën dyshimin se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtëshme apo të paluajtëshme.
Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka sekuestruar llogari bankare në vlerë 10 mln euro të administratorëve të subjekteve financiare që u përfshinë në skemën e mashtrimit me kredi dhënien.
Llogaritë bankare të sekuestruara janë të dhjetë personave dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi që janë nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’. Paratë e sekuestruara i përkasin subjekteve ‘Microcredit Albania’ shpk, ADCA shpk dhe ‘Final’ shpk. /Pamfleti
Lini një Përgjigje