
Protestuesit janë shprehur se do të zhvendosen para godinës së Prokurorisë së Posaçme SPAK...
Tubimi para Kryeministrisë është mbyllur pas më shumë se dy orësh fjalime dhe thirrjesh për largimin e kastës së vjetër politike. Me mbylljen e tubimit, protestuesit kanë nisur marshimin e përnatshëm rrugëve të Tiranës.
Ndryshe nga herët e tjera, sonte protestuesit janë shprehur se do të zhvendosen para godinës së Prokurorisë së Posaçme SPAK, për t’i kërkuar që të godasë politikanët e korruptuar dhe ata të përfshirë në afera të ndryshme.
Vlen të theksohet se protesta e sotme ka pasur një skenar disi ndryshe nga ai i ditëve të mëparshme. Fillimisht pas grumbullimit te sheshi ‘Skënderbej’ rreth orës 19:00, protestuesit kanë marshuar në drejtim të Kuvendit, ku po zhvillohej seanca plenare.
Në momentin që protestuesit u mblodhën para Kuvendit, brenda në Parlament ndodheshin vetëm deputetët e mazhorancës, të cilët po votonin Amnistinë Penale dhe Kodin e ri Rrugor.
Pas kësaj protestuesit sërish surprizuan me lëvizjen e radhës, duke u zhvendosur para Selisë së PD-së, ku në kor thirrën; ‘opozitë e shitur’ dhe ‘Rama në burg, Berisha në Burg”.
Kujtojmë se kjo është protesta e 19-të e qytetarëve të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë establishmentit.
Lini një Përgjigje